Rikthehet Jimmy Kimmel, mes lotëve sulmon Trump dhe kërcënimet ndaj lirisë së shprehjes 

Nga A2 CNN
24 Shtator 2025, 17:56 | Bota

Rikthehet Jimmy Kimmel, mes lotëve sulmon Trump dhe kërcënimet

Jimmy Kimmel kritikoi ato që i quajti “kërcënime anti-amerikane’’ ndaj lirisë së shprehjes, gjatë rikthimit emocional në programin televiziv të mbrëmjes, pas një pezullimi të shkurtër lidhur me komentet mbi vrasjen e aktivistit konservator, Charlie Kirk.

Mes lotëve, komediani pohoi se nuk kishte qenë kurrë qëllimi i tij të hidhte dritë mbi vrasjen e një djali të ri. Ai vlerësoi bashkëshorten e Kirk, Erika për faljen e vrasësit gjatë një memoriali të mbajtur në fundjavë duke e quajtur një akt vetëmohues mirësie.  

Fjalë të ashpra, Kimmel lëshoi kundrejt kreut të organizatës rregullatore të televizioneve amerikane të cilin e akuzoi për “taktika mafioze’’ e po ashtu ndaj Donald Trump, duke u tallur edhe me shfaqjen e tij në OKB.

“Pothuajse duhet të na vijë keq për të. Ai bëri çmos për të anuluar programin tim. Në vend të kësaj, ai detyroi miliona njerëz ta shikonin atë. Kjo pati efekt të kundërt. Ai mund të duhet të publikojë dosjet e Epstein për të na shpërqendruar nga kjo tani. Presidenti i Shteteve të Bashkuara e bëri shumë të qartë se dëshiron të më shohë mua dhe qindra njerëz që punojnë këtu të pushuar nga puna. Udhëheqësi ynë feston që amerikanët humbasin punën  e tyre sepse nuk mund të pranojë shaka”, tha Kimmel.

Megjithatë episodi i së martës nuk ishte i disponueshëm për shkuesit në të gjitha tregjet, për shkak të kundërshtisë së disa transmetuesve lokalë të lidhur me rrjetin e Kimmel, ABC.  

Këta transmetues, të cilët drejtohen nga kompanitë Nexstar dhe Sinclair, thuhet se përbëjnë rreth një në pesë stacione lokale të ABC në SHBA.

Trump, i cili e kishte mirëpritur pezullimin e komedianit, ishte kritik ndaj rikthimit në punë, duke shkruar: "Nuk mund ta besoj që ABC Fake News ia ktheu Jimmy Kimmel punën e tij."

Emisioni "Jimmy Kimmel Live!" u pezullua pasi deklaratat e prezantuesit në lidhje me vrasjen e Kirk shkaktuan polemika në fillim të këtij muaji. Në një monolog në atë kohë, komediani tha se Trump dhe aleatët e tij po përpiqeshin me dëshpërim ta karakterizonin vrasësin e Charlie Kirk si diçka tjetër përveçse njërit prej tyre dhe po përpiqeshin të fitonin pikë politike nga kjo.

Ai gjithashtu e krahasoi reagimin e Trump ndaj vdekjes së Kirk me "mënyrën se si një katërvjeçar vajton një peshk të artë". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos