Lufta civile po rindizet rrezikshëm në Siri, disa vite pasi solli shkatërrime e viktima të pamasa. Të paktën 25 persona u vranë në Sirinë verilindore, pas sulmeve ajrore të ndërmarra nga qeveria siriane dhe Rusia gjatë së hënës.
Shifrat i bënë të ditura, helmetat e bardhë, një grup shpëtimi i forcave të opozitës. Burime ushtarake thanë se avionët e damaskut dhe të Moskës, shënjestruan qytetin e pushtuar nga forcat rebele opozitare Idlib, në veri të Sirisë gjatë së dielës.
Presidenti Bashar Al Assad është zotuar të shtypë kryengritësit që kontrollojnë gjithashtu pjesën më të madhe të qytetit të Alepos.
Banorët thanë se një prej sulmeve kishte goditur një zonë të populluar rezidenciale në qendër të Idlib, qyteti mëi madh në enklavën rebele pranë kufirit me Turqinë, ku rreth 4 milion njerëz jetojnë në kampe të improvizuara.
Të paktën 7 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur, sipas ekipeve të shpëtimit në vendin e ngjarjes. Sipas helmetave të bardhë, 10 fëmijë janë mes viktimave të sulmeve ajrore ne dhe rreth Idlibit dhe zona të tjera. Por ushtria siriane dhe aleati i vet Rusia këmbëngulin se kanë goditur pozicione rebele, duke mohuar shënjestrimin e civilëve.
Që prej 27 nëntorit, kur edhe nisi ofensiva e grupeve opozitare të Bashar Al Asad, të paktën 56 persona janë vrarë nga sulmet siriane dhe ruse, përfshirë 20 fëmijë. Në një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania dhe Britania bënë thirrje për zbutje të tensioneve dhe mbrojtje të civilëve dhe infrastrukturës për të parandaluar shpërngulje të mëtejshme.
Forcat rebele, morën kontrollin e të gjithë rajonit të Idlib gjatë ditëve të fundit, në një prej ofensivave më të forta në shumë vite luftë civile, ku vijat e frontit kanë qenë gjerësisht të ngrira që prej 2020. Ata pushtuan gjithashtu pjesën më të madhe të Alepos, mbrëmjen e së premtes. (A2 Televizion)