Izraeli në ngërç politik pas zgjedhjeve, 4 skenarët për daljen nga kriza

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 08:29 | Bota

Izraeli në ngërç politik pas zgjedhjeve, 4 skenarët

Izraeli mund të përballet me javë, madje edhe muaj të tërë pasigurie politike, pasi rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve tregojnë se nuk ka një fitues të qartë.

Asnjëri prej dy blloqeve kryesore politike, njëri i udhëhequr nga partia e djathtë Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe tjetri nga partia e qendrës Yashar, e drejtuar nga rivali i tij kryesor, Gadi Eisenkot, nuk ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme prej 61 mandatesh për të formuar qeverinë në parlamentin izraelit me 120 vende.

Por si mund të formohet qeveria e re?

Sigurisht, kjo nuk duket e lehtë. Ndarjet e thella politike dhe ideologjike e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një koalicioni që në pamje të parë mund të dukej i realizueshëm.

Megjithatë, kjo mbetet e mundur, edhe nëse rezultati do të ishte një aleancë e brishtë, e cila mund të qëndronte në pushtet vetëm për pak më shumë se një vit. Nëse drejtuesit e partive nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje brenda 12 javëve që kanë në dispozicion, izraelitët do t'u drejtohen sërish kutive të votimit.

CNN ka listuar katër skenarët e mundshëm që mund të shmangin zgjedhjet e parakohshme.

Skenari 1: Një qeveri e opozitës

Në teori, rruga më e sigurt për opozitën për të larguar Netanyahun nga pushteti kalon përmes bashkëpunimit mes partive hebraike dhe arabe. Por pikërisht kjo përbën pengesën më të madhe.

Dy prej drejtuesve të partive të djathta në bllokun opozitar, ish-kryeministri Naftali Bennett dhe ish-ministri i Mbrojtjes Avigdor Liberman, kundërshtojnë çdo qeveri që varet nga mbështetja e dy partive arabe në parlament. Lista e Përbashkët dhe Raam, qoftë si pjesë e koalicionit, apo si mbështetëse të jashtme të një qeverie të pakicës.

Të dy liderët i kanë ashpërsuar qëndrimet e tyre pas sulmit të 7 tetorit 2023, të udhëhequr nga Hamasi.

Vetëm një qeveri në historinë e Izraelit ka përfshirë plotësisht një parti arabe. Raam ishte pjesë e një koalicioni me tetë parti, i cili arriti ta largonte Netanyahun nga pushteti në vitin 2021, por qeveria u rrëzua pak më shumë se një vit pas formimit.

Edhe pa arritur të formojnë një qeveri, partitë opozitare mund të bashkëpunojnë dhe të shfrytëzojnë shumicën e tyre parlamentare për të zëvendësuar kryetarin e Knessetit, si dhe për të marrë poste të tjera kyçe. Në këtë mënyrë, ato mund të kufizojnë veprimtarinë e qeverisë në detyrë të Netanyahut, ndërsa ajo do të vazhdonte të qëndronte në pushtet.

Megjithatë, mundësitë për të krijuar një koalicion që do ta zëvendësonte atë në krye të Izraelit mbeten shumë të ndërlikuara dhe politikisht të tensionuara.

Skenari 2: Një qeveri e unitetit kombëtar

Në këtë skenar, besohet se Netanyahu është i gatshëm të ndahet nga ministri i Sigurisë Kombëtare i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, por jo nga ministri i Financave, Bezalel Smotrich, gjithashtu i ekstremit të djathtë, apo nga partitë ultraortodokse.

Megjithatë, Eisenkot ka përjashtuar mundësinë e bashkëqeverisjes me Netanyahun. Nëse do të ndryshonte mendje, një vendim i tillë do të konsiderohej nga shumë izraelitë, të cilët dëshirojnë largimin e Netanyahut, si një akt tradhtie politike.

Skenari 3: Një qeveri e bllokut të Netanyahut me deputetë të larguar nga opozita

Një tjetër mundësi është që Netanyahu të arrijë të formojë qeverinë duke bindur disa deputetë të opozitës të largohen nga partitë e tyre dhe t'i bashkohen bllokut të tij.

Megjithatë, të katër drejtuesit e partive të opozitës, Eisenkot, Bennett, Liberman dhe Yair Golan , kanë deklaruar se nuk do të bëhen pjesë e një qeverie të drejtuar nga Netanyahu.

Për më tepër, bllokut të këtij të fundit i mungojnë plot tetë mandate për të siguruar shumicën, çka do të thotë se bindja e tetë deputetëve individualë për të ndryshuar krah mbetet një sfidë e madhe.

Skenari 4: Zgjedhje të reja

Ndërsa të gjitha këto mundësi diskutohen në prapaskenë, presidenti izraelit Isaac Herzog do të zhvillojë një seri konsultimesh publike me drejtuesit e partive që kanë siguruar vende në parlament.

Pas dëgjimit të qëndrimeve të tyre, ai do t'i besojë njërit prej liderëve detyrën për të formuar qeverinë.

Partitë arabe pritet të shprehin mbështetjen për Eisenkotin, ndaj kreut të partisë Yashar mund t'i jepet mundësia i pari për të tentuar formimin e qeverisë.

Kushdo që do të marrë këtë mandat do të ketë 28 ditë kohë për të përfunduar negociatat dhe për të formuar qeverinë. Nëse është e nevojshme, mund të përfitojë edhe një zgjatje prej 14 ditësh.

Nëse përpjekja dështon, presidenti do t'ia besojë detyrën një kandidati të dytë, i cili do të ketë vetëm 28 ditë kohë për të gjetur një zgjidhje.

Pas kësaj, shumica e deputetëve të Knessetit mund t'i kërkojë presidentit t'ia japë mandatin një kandidati të tretë, i cili do të ketë 14 ditë kohë për të krijuar një koalicion qeverisës.

Nëse asnjëra prej këtyre përpjekjeve nuk sjell një marrëveshje, Izraeli do të shkojë sërish në zgjedhje.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos