Rojet bregdetare greke nën akuzë për tragjedinë që tronditi Evropën

Nga A2 CNN
27 Maj 2025, 07:29 | Bota

Rojet bregdetare greke nën akuzë për tragjedinë që

Greqia ka ngritur akuza penale ndaj 17 pjesëtarëve të Rojës Bregdetare për rolin e tyre në fundosjen e anijes së mbushur me emigrantë “Adriana”, që u mbyt më 14 qershor 2023 pranë Pylos, duke lënë të vdekur të paktën 650 persona.

Anija, që kishte lundruar nga Libia drejt Italisë me rreth 750 njerëz në bord, u përmbys në ujërat ndërkombëtare, brenda zonës greke të kërkim-shpëtimit. Vetëm 104 persona shpëtuan. Sipas akuzave, rojet bregdetare përfshirë kapitenin e anijes LS-920, tentuan ta tërhiqnin anijen në mënyrë të pasigurt, duke shkaktuar përmbysjen e saj.

Prokuroria e Gjykatës Detare të Pireut ka ngritur akuza për “shkaktim të mbytjes së anijes”, “ndërhyrje të rrezikshme në transport detar”, “mosdhënie ndihme”, si dhe “ekspozim të personave në rrezik”. Katër zyrtarë të lartë të Rojës Bregdetare, përfshirë ish-shefin e Forcave Detare dhe drejtuesin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit për Kërkim-Shpëtim, janë gjithashtu nën hetim.

Dëshmitarët, mes tyre sirianët Ahmad dhe Musaab, kanë deklaruar se rojet e shkaktuan përmbysjen duke tërhequr anijen me litar nga njëra anë, çka krijoi paqëndrueshmëri. Ata pretendojnë se, pasi mbërritën në portin e Kalamatas, u urdhëruan të heshtnin dhe të mos flisnin për rolin e rojeve bregdetare në tragjedi.

Pas dy vitesh paqartësi dhe një proces të gjatë hetimi, avokatët e viktimave e cilësojnë këtë hap si një përparim të madh drejt drejtësisë. 17 të akuzuarit pritet të merren në pyetje në javët në vijim, përpara se gjykata të vendosë nëse do të kalojnë në gjyq të plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos