Alarm në Itali, mbi 10 mijë fëmijë u zhdukën në gjashtë muajt e parë të 2024

Nga A2 CNN
26 Maj 2025, 17:08 | Bota

Alarm në Itali, mbi 10 mijë fëmijë u zhdukën në

Fenomeni i fëmijëve të zhdukur po merr përmasa shqetësuese në Itali. Sipas mediave italiane organizata Telefono Azzurro gjatë konferencës “Fëmijët e Padukshëm” paraqiti një dosje alarmuese për situatën në vendin fqinj me të dhëna alarmante.

Sipas raportit, gjatë gjysmës së parë të vitit 2024, në Itali u regjistruan 11,694 raste personash të zhdukur, nga të cilat 69.6% ishin të mitur, që përfaqësoni 8,143 raste. Në mesatare, kjo do të thotë 64 raportime në ditë.

Shumica e rasteve të raportuara në Itali përfshinin adoleshentë të moshës 16-17 vjeç, të cilët përbëjnë mbi 70% të të gjithë të miturve të zhdukur. Gjithashtu, 58.1% e rasteve të zbuluara i përkasin vajzave. Sa i përket grupmoshave, 12.9% e rasteve ishin fëmijë 0-10 vjeç, ndërsa 16.7% i përkisnin grupmoshës 11-14 vjeç.

Në aspektin e kombësisë, 56.9% e raportimeve ishin shtetas italianë, ndërsa 41.67% fëmijë me kombësi të huaj. Ndër arsyet më të zakonshme të raportuara ishin arratisja nga shtëpia (36.5%), ikja nga komuniteti ose institucioni (12.5%), zhdukje të paspecifikuara (12.5%) dhe largimi nga qendrat e pritjes (7.3%).

Sipas presidentit të Telefono Azzurro, Ernesto Caffo, shumë nga këta fëmijë janë të pashoqëruar dhe rrezikojnë të bien pre e trafikimit, abuzimit apo shfrytëzimit.

Ai thekson gjithashtu ndikimin negativ që ushtron presioni social dhe mjetet digjitale në gjendjen psikologjike të adoleshentëve, duke shtuar raste të arratisjeve të nxitura nga probleme familjare apo përmbajtje digjitale që ndikojnë në mënyrë destabilizuese.

Edhe në nivel ndërkombëtar, situata është shqetësuese. Qendra për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC) në SHBA trajtoi rreth 30,000 raste fëmijësh të zhdukur në vitin 2024, duke arritur të zgjidhë 91% të tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos