
Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se protesta e studentëve dhe gjimnazistëve do të triumfojë, ndërsa e ka quajtur Ramën xhelat të komunizmit. Në një bisedë me qytetarët këtë të diel, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për kërcënime ndaj protestuesve dhe i kërkoi atij dorëheqjen.
"Sot doli, jo si Edi Rama, por si Edvin Kristaq Xhelati. Ka dy ditë që është rikthyer totalisht në genin e babait të tij xhelat.
Kjo gjeneratë nuk e di, po babai i tij xhelat ishte një burrë i gjatë në pamje xhentëlmen, por në shpirt kriminel dhe shpirtkazmë, që firmoste varjen në litar, ndonëse ishte skulptor, firmoste varjen në litar të poetëve për vargjet e tyre.
U kthye tek Koleka, ish-anëtari i Byrosë Politike terroristi i vërtetë, që edhe në '90-ën kërkonte t'u fuste tanket studentëve kundër pluralizmit.
Këto kërcënime i them mbaji për vete, se s'do mundesh kurrë të ndalosh asnjë njeri të dalë jashtë shteti, kanë ikur ato kohëra. Riktheu ligjin agjitacion-propagandë.
Miq, diktatori i fundit komunist në Shqipëri, Ramiz Alia, para se të përmbysej shtatorja, bëri ligjin për mbrojtjen e personaliteteve. Dhe e kish hallin te mbrojtja e Enver Hoxhës. Ajo ishte vetëm një thirrje, një apel, një thirrje, një apel. Dhe ne e kryem misionin tonë, e përmbysëm. Do përmbysim Edi Ramën. Edi Rama përmend gjoba, përmend dokrra, përmend shkopa, çfarë nuk përmend. Je i marrë fund, je i pashpresë.
Jep dorëheqjen sa më parë të mos pësosh fatin e Çausheskut. Se detyrimet, borxhet, krimet tua ndaj shqiptarëve janë monstruoze. Kjo revoltë do të fitojë", tha Berisha.
(A2 Televizion)