Për herë të parë në gati 2 vite luftë, Rusia ka përdorur në Ukrainë një raketë të avancuar hipersonike, e cila sipas ekspertëve është gati e pamundur për t’u shkaterruar. Kievi pretendon se ka provat për ta mbështetur një pretendim të tillë. Instituti për kërkimet shkencore të ekspertizës forensike, bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se mbetjet e zbuluara pas një sulmi ndaj kryeqytetit në 7 shkurt, tregonin përdorimin e raketës hipersonike kruz, Zircon, nga ushtria ruse.
“Shenjat në copëza të mbetjeve të raketës, identifikimi i përbërësve dhe pjesëve, dhe karakteristikat e llojit të armës, tregojnë përdorimin e raketës Zircon, për herë të parë që prej shpërthimit të luftës”, tha Instituti për Kërkimet Shkencore Forensike.
Postimi në Telegram shoqërohej nga një video që tregonte dhjetëra pjesë që sipas Kievit i përkisnin raketës së re. Autoritetet ukrainas raportuan 4 të vrarë dhe 38 të plagosur pas sulmit të 7 shkurtit në kryeqytet, por asnjë prej viktimave nuk është lidhur drejtpërdrejtë me raketën Zircon.
Sipas ekspertëve, dhe informacioneve të ofruara nga qeveria ruse, Zircon është një armë jashtëzakonshme. Shpejtësia hipersonike e vlerësuar deri në 9900 km për orë, e bën atë të pacenueshme, edhe nga sistemet më të avancuara perëndimore të mbrojtjes, të tilla si amerikani Patriot.
Aleanca e Mbrojtjes nga raketat me bazë në SHBA, thotë se nëse informacionet janë të sakta, Zircon është raketa më e shpejtë në botë, duke e bërë gati të pamundur mbrojtjen ndaj saj. Gjatë fluturimit, ajo është e mbuluar plotësisht nga një re plazmatike e cila përthith çdo frekuencë radiofonike dhe e bën atë të padukshme ndaj radarëve. rrezja e veprimit varion nga 500 deri në 1000 km.
Presidenti Vladimir Putin e ka përshkruar atë si të pakrahasueshme dhe ka thënë se mund të mbrojë Rusinë nga çdo kërcënim të jashtëm. Nëse Moska e ka përfshirë vërtet raketën në konflikt, për Kievin dhe mbrojtjen e tij ajrore, parashikohen telashe të mëdha. (A2 Televizion)