
Rusia nisi një tjetër sulm me raketa balistike ndaj Ukrainës. Pak pas mesnatës të së martës, një seri shpërthimesh tronditën Kievin. Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko njoftoi nëpërmjet Telegram se disa zjarre kishin shpërthyer në dy lagje të qytetit. Ai deklaroi se disa depo dhe një ndërtesë tjetër jo-rezidenciale ishin në flakë. Sirenat e sulmit ajror u aktivizuan vetëm pas një vonese pas shpërthimeve fillestare.
Sipas autoriteteve, qyteti lindor ukrainas i Kharkiv u sulmua gjithashtu gjatë natës. Goditje raketash u regjistruan në dy rrethe, siç njoftoi kryebashkiaku Ihor Terekhov në Telegram. Më shumë se dhjetë shtëpi u dëmtuan, shkruan A2 CNN.
Ndërsa mbrojtja ajrore e Ukrainës interceptoi 139 nga 169 dronë gjatë sulmeve të fundit, ato përsëri nuk ishin në gjendje të rrëzonin asnjë nga pesë raketat balistike të përdorura nga Rusia.
Moska ka rritur luftën e saj ajrore ndaj Ukrainës në muajt e fundit, pasi përparimet e saj tokësore kanë ngecur kryesisht dhe sulmet ukrainase ndaj logjistikës së saj ushtarake dhe industrisë së naftës shkaktuan mungesa të përhapura të karburantit.
Vetëm në korrik, sulmet ruse në kryeqytetin ukrainas dhe rajonin përreth kanë vrarë 60 persona. Që nga fillimi i muajit, mbrojtja ajrore rrëzoi vetëm katër nga 54 raketat balistike të qëlluara nga Rusia, sipas të dhënave të forcave ajrore.
Një grua u vra dhe dy persona u plagosën në sulmin e natës në Kiev, thanë autoritetet. Zelenskiy është lutur vazhdimisht për interceptorë të prodhuar në SHBA - arma e vetme në arsenalin e Ukrainës që mund të rrëzojë predhat balistike, shpejtësia e lartë dhe rruga e pjerrët e fluturimit të të cilave i bëjnë ato të vështira për t'u ndaluar. Ai pritet ta ngrejë çështjen me Trump gjatë takimit të tyre në samitin e së mërkurës.
Sulmet e Rusisë u disktuan edhe në hapjen e Samitit të NATO. Kancelari gjerman, Friedrich Merz bëri me dije se Rusia nuk në këtë luftë nuk ka asnjë shans. “Varet tërësisht nga Rusia që ta përfundojë këtë luftë. Dhe ne do të bëjmë përsëri gjithçka që mundemi për ta arritur këtë, dhe gjithashtu do t'i dërgojmë një mesazh të qartë Moskës: Rusia nuk ka shanse ta fitojë këtë luftë. Ata nuk do t'i arrijnë qëllimet e tyre të luftës. Dhe sa më shpejt ta përfundojmë këtë luftë, aq më mirë do të jetë për Evropën, aq më mirë do të jetë për Rusinë dhe aq më mirë do të jetë për paqen në botë”. Firedrich Merz | Kancelar i Gjermanisë.
Putini ka thënë se do të vazhdojë me luftën e tij pavarësisht vështirësive në rritje për Rusinë. Moska ka kërkuar që Kievi të lëshojë pjesën tjetër të rajonit të saj lindor të Donetskut, të cilin nuk ka qenë në gjendje ta pushtojë në më shumë se katër vjet luftime. Në Rusi, sulmet me dronë të Ukrainës gjatë natës vranë një person dhe dëmtuan shumë vende industriale, thanë autoritetet lokale. (A2 Televizion)