
Rusia ka njoftuar se raketat e saj bërthamore të tipit Oreshnik kanë hyrë në shërbim aktiv në Bjellorusi, një aleate e ngushtë e Moskës që kufizohet me disa vende anëtare të NATO-s, përfshirë Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë. Lajmi u shoqërua me publikimin e një videoje nga ministritë e Mbrojtjes së Rusisë dhe Bjellorusisë, ku shfaqet transportimi i sistemeve raketore në zona pyjore dhe kamuflimi i tyre me rrjeta.
Presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se raketat Oreshnik janë praktikisht të pamundura për t’u interceptuar, për shkak të shpejtësisë që, sipas tij, tejkalon dhjetëfishin e shpejtësisë së zërit. Vendosja e tyre në Bjellorusi mund të shkurtojë ndjeshëm kohën e goditjes ndaj objektivave europiane, nëse raketat ruhen në baza të këtij vendi.

Sipas autoriteteve bjelloruse, një divizion raketash Oreshnik ka nisur detyrat luftarake në zona të përcaktuara, ndonëse nuk është bërë publik vendndodhja e saktë. Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, ka pohuar se deri në 10 sisteme të tilla do të stacionohen në territorin e vendit.

Bjellorusia ka qenë një aleat kyç i Moskës, duke shërbyer si platformë për pushtimin e Ukrainës në vitin 2022. Vendosja e Oreshnikut vjen në një klimë të shtuar kërcënimesh bërthamore nga Kremlini, veçanërisht pas uljes së pragut për përdorimin e armëve bërthamore në nëntor 2024, një veprim që u pa si sinjal i një qëndrimi më agresiv të Rusisë. (A2 Televizion)