Lufta në Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një të dyshuari për përfshirje në vrasjen e 13 civilëve

Nga A2 CNN
30 Dhjetor 2025, 17:06 | Kronikë

Lufta në Kosovë, ngrihet aktakuzë ndaj një të dyshuari

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të martën aktakuzë në mungesë kundër një burri të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

I dyshuari, i identifikuar vetëm me inicialet S.A., akuzohet se kishte marrë pjesë në vrasjen e 13 civilëve dhe në plagosjen e katër të tjerëve më 30 prill të vitit 1999 në fshatin Llashticë të Gjilanit.

Sipas aktakuzës, ai dyshohet ta ketë kryer krimin në bashkëpunim me pjesëtarë tjerë të forcave policore, paramilitare dhe ushtarake serbe.

“Ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri e ka ekzekutuar viktimën H.H duke e qëlluar me armë zjarri në kokë, e më pas e ka urdhëruar një person tjetër që të shtinte me armë zjarri në drejtim të civilëve të tjerë, duke i ekzekutuar ata një nga një”, thuhet në aktakuzë.

Prokurorët i kanë kërkuar Gjykatës Themelore në Prishtinë ta mundësojë mbajtjen e gjykimit në mungesë, duke qenë se i dyshuari është i paarritshëm për autoritetet kosovare.

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit.

Në korrik, Prokuroria ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës.

Gjykimi në mungesë mundësohet në Kosovë pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të bëra më 2022.

Megjithatë, gjykime të tilla mund të bëhen vetëm me kushtin që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Por, ky Kod përcakton se personat që gjykohen në mungesë kanë të drejtë për një rigjykim pa kushte, kur të arrestohen.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, që nga hyrja në fuqi e ligjit për gjykimet në mungesë, janë ngritur disa dhjetëra aktakuza në mungesë kundër disa dhjetëra anëtarëve të forcave serbe, të cilët dyshohen se kanë kryer krime lufte në Kosovë.

Ndërkaq, aktgjykimi i parë në mungesë u shqiptua dhjetorin e vitit 2024 në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi. Trupat e tyre janë bartur nga forcat serbe me qëllim që të fshihen krimet.

Udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë arrestuar, gjykuar dhe dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës për ish-Jugosllavi për krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.

Ndër ta ishte edhe Sllobodan Millosheviqi, i cili vdiq në burg pa arritur të dënohet për përgjegjësinë në urdhërimin e krimeve të luftës në Kosovë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos