Barcelona po përballet me një situatë delikate në repartin e mbrojtjes dhe po hyn në merkato dimërore me nevojën urgjente për një qendërmbrojtës të ri. Dëmtimi afatgjatë i Andreas Christensen, i cili ka pësuar këputje të ligamentit, si dhe paqartësitë që rrethojnë të ardhmen e Ronald Araujos, kanë reduktuar ndjeshëm opsionet e trajnerit Hansi Flick në prapavijë.
Megjithatë, afrimet në janar mbeten një sfidë e madhe për klubin katalanas. Edhe pse Barcelona mund të përfitojë deri në 80 për qind të pagës së Christensen për të regjistruar një zëvendësues, klubet zakonisht hezitojnë të largojnë lojtarë kyç në mes të sezonit, përveç rasteve kur ofrohen shuma të larta – diçka që Barcelona aktualisht nuk mund ta përballojë.
Si pasojë, drejtuesit po shohin alternativa më të arritshme në treg. Sipas Mundo Deportivo, në listë janë Stefan de Vrij, Koni De Winter dhe Juan Jesus, të gjithë aktivë në Serie A dhe me role jo të plota te ekipet e tyre.
Paralelisht, Barcelona po ndjek edhe një opsion afatgjatë si Luka Vukšoviç, por një marrëveshje me Tottenhamin pritet të jetë e ndërlikuar. Dobësitë mbrojtëse të këtij sezoni kanë nxjerrë në pah mungesën e thellësisë që u ndje më pak kur Inigo Martinez ishte pjesë e skuadrës. (A2 Televizion)