Lëshohen raketa drejt Tajvanit, Kina gati për luftë? Rrethon ishullin me luftanije

Nga Rosalba Bejdo
30 Dhjetor 2025, 15:34 | Bota

Kina lëshoi raketa në ujërat e Tajvanit, në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake që konsiderohen si lojërat më të rrezikshme të luftës deri më tani. Si pjesë e stërvitjeve që simulojnë një bllokadë, Komanda Lindore e Kinës kreu 10 orë trajnime me armë zjarri, duke lëshuar raketa në ujërat në veri dhe në jug të ishullit të qeverisur demokratikisht.

Njësitë e forcave ajrore dhe të marinës simuluan gjithashtu sulme ndaj objektivëve detarë dhe ajrorë dhe kryen stërvitje antinëndetëse, ndërsa mediat në Pekin evidentuan superioritetin teknologjik dhe ushtarak dhe aftësinë e Kinës për ta marrë me forcë ishullin nëse do të jetë e nevojshme, shkruan A2 CNN.

Të pagëzuara si “Misioni i Drejtësisë 2025”, stërvitjet nisën 11 ditë pasi SHBA njoftoi një paketë rekord prej 11.1 miliardë dollarësh armatime për Tajvanin, duke nxitur zemërimin e Kinës dhe paralajmërimet se ushtria do të kundërpërgjigjet me forcë.

Për herë të parë, ushtria kineze tha se stërvitjet synonin parandalimin e ndërhyrjeve nga jashtë. “Çdo forcë e jashtme që përpiqet të ndërhyjë në çështjen e Tajvanit ose në punët e brendshme të Kinës me siguri do të përplasë kokën me gjak në muret e hekurta të Ushtrisë Çlirimtare Popullore Kineze”, ishte paralajmërimi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Kinës.

Pekini ka intensifikuar gjithashtu retorikën ndaj Tajvanit pasi kryeministri japonez sugjeroi se një sulm i mundshëm ndaj ishullit do të nxiste reagim ushtarak nga Tokio. Presidenti kinez Xi Jinping gradoi komandantin e Komandës Lindore, që mbikëqyr edhe operacionet pranë Tajvanit, si gjeneral me fuqi të plota, një lëvizje kjo që, sipas analistëve, shërben për të treguar gatishmërinë luftarake të ushtrisë pas një fushate spastrimi të lidershipit.

Presidenti Trump minimizoi stërvitjet në një prononcim të hënën, duke vënë theksin te marrëdhënia e tij me Jinping dhe fakti se Kina prej 20 vitesh ndërmerr një praktikë të tillë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos