“Serbia le të sillet si shtet”, alarmon Vulin, kërkon plan veprimi kundër Kurtit?

Nga Rosalba Bejdo
12 Mars 2026, 22:27 | Bota

Aleksandar Vulin, ish-shef i shërbimit sekret në Serbi, tani kryetar i partisë Lëvizja Socialiste, i kërkoi shtetit serb të ndërmarrë hapa në lidhje me ligjin për të huajt, të imponuar sipas tij nga kryeministri Albin Kurti.

Ai i kërkon Rusisë dhe Kinës të caktojnë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në të cilën kreut të UNMIK-ut do t’i kërkohet të përdorë kompetencat ende ekzistuese sipas Rezolutës 1244 dhe të ndalojë zbatimin e ligjit.

Ai shtoi se shteti serb duhet të kërkojë që Bashkimi Evropian të mbështesë vendimin e kreut të UNMIK-ut për të ndaluar zbatimin e “ligjit për të huajt” përmes mekanizmave të EULEX-it. Dhe sipas tij, nëse BE-ja nuk e bën këtë, Serbia duhet të ndërpresë çdo formë të dialogut të Brukselit.

Por një prej pohimeve më të forta të Vulin është kur thotë se shërbimet e sigurisë së shtetit të Serbisë do të krijojnë një plan veprimi kundër individëve që janë bartës të politikës antiserbe në Kosovë dhe “Metohi” dhe do të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion të shtetit serb për të eliminuar ndikimin e tyre destabilizues dhe keqdashës.

Një sulm ndaj një serbi në Kosovë është një sulm ndaj shtetit serb”, deklaroi ai.

Më herët, ish-shefi i shërbimit sekret serb lëshoi kërcënime të hapura ndaj Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, duke bërë thirrje që Serbia të ndjekë metodat e Izraelit dhe Mossad-it. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos