Shefi i NATO-s tallet me Rusinë: “Tetori i Kuq” në gjueti për një mekanik

Nga A2 CNN
13 Tetor 2025, 14:32 | Bota

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u tall të hënën me gjendjen e një nëndetëseje ruse që, sipas raportimeve, është detyruar të dalë në sipërfaqe për shkak të defekteve teknike.

Sipas autoriteteve ruse, nëndetësja me naftë “Novorossiysk”, pjesë e Flotës së Detit të Zi, doli në sipërfaqe pranë brigjeve franceze vetëm për të respektuar rregullat e navigimit në Kanalin e La Manshit. Moska mohoi kategorikisht se mjeti kishte pësuar ndonjë defekt të rëndë.

Megjithatë, autoritetet holandeze pohuan gjatë fundjavës se nëndetësja ishte nën tërheqje në Detin e Veriut, një pretendim që përforcoi dyshimet për probleme të rënda mekanike. Gjatë një fjalimi në Slloveni, Rutte tha me tone ironike se “nëndetësja ishte e prishur”, duke nënkuptuar paaftësinë teknike të flotës ruse.

“Është një nëndetëse ruse, e vetme dhe e prishur, që mezi po kthehet në shtëpi nga patrullimi. Çfarë ndryshimi drastik nga romani i vitit 1984 i Tom Clancy-t “Gjuetia për Tetorin e Kuq”. Sot duket më shumë si gjuetia për te mekaniku më i afërt”, tha Rutte, përcjell A2 CNN.

Sipas kanalit të Telegram-it VChK-OGPU, i njohur për publikimin e informacioneve të fshehta nga shërbimet sekrete ruse, që më 27 shtator ishte raportuar se në nëndetësen “Novorossiysk” kishte rrjedhje karburanti në dhomën e brendshme, çka rrezikonte një shpërthim të mundshëm.

Komanda Detare e NATO-s publikoi më 9 tetor disa fotografi që tregonin një fregatë të marinës franceze duke vëzhguar një nëndetëse ruse që lundronte në sipërfaqe pranë brigjeve të Bretanjës.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Holandës konfirmoi të shtunën se marina holandeze kishte shoqëruar “Novorossiysk”-un dhe anijen shoqëruese “Yakov Grebelsky” teksa kalonin nëpër Detin e Veriut.

Flota ruse e Detit të Zi reagoi sërish të hënën, duke këmbëngulur se nëndetësja po kryente një “transit të planifikuar” pas përfundimit të detyrave në Mesdhe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos