Një shpërthim u dëgjua sot pranë konsullatës ruse në Marsejë, në Francën jugore. Konsulli i përgjithshëm i Rusisë në Marsejë, Stanislav Oransky tha se shpërthimi ndodhi brenda konsullatës, siç raportohet nga faqja ruse e lajmeve RBC.
Agjencia ruse e lajmeve TASS foli për "shpërthime" dhe duke cituar Ministrinë e Jashtme ruse, raportoi se ky incident ka të gjitha karakteristikat e një sulmi terrorist, duke i kërkuar Francës të marrë çdo masë për ta hetuar atë.
Edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova tha se incidenti kishte "të gjitha shenjat e një sulmi terrorist".
Tre kokteje molotov u hodhën nga sulmues të panjohur në kopshtin e konsullatës, sipas agjencive të Moskës që citojnë burime lokale të lajmeve, të cilat nuk raportuan për të lënduar.
Megjithatë, vetëm dy kokteje molotov shpërthyen në kopshtin e godinës diplomatike. Selia diplomatike ruse ndodhet në rrethin e tetë të Marsejës, ku ka konsullata të tjera si ato të Egjiptit, Tunizisë apo Armenisë.
Kamerat e survejimit të bashkisë dhe konsullatat pranë saj kanë regjistruar pamjet që po ekzaminohen nga hetuesit.
Sipas raportimeve, forcat e rendit janë në kërkim të një furgoni të zi që ka qenë i parkuar pranë konsullatës herët në mëngjes. Duket se policia e kishte pikasur dhe po përpiqej të kuptonte origjinën e tij shpërthimeve. Sipas hetuesve, bëhet fjalë për një automjet të vjedhur. (A2 Televizion)