Ushtria Amerikane po përdor një superbombardues, teksa shënohet nata e dymbëdhjetë radhazi e sulmeve kundër Iranit. “Objektiva ushtarakë janë goditur”, deklaroi Komanda Qendrore e SHBA-së në fund të operacionit. Teherani thuhet se u godit në tre vende.
Sipas Axios, Pentagoni “riktheu në përdorim superbombarduesit B-1”. Forcat amerikane goditën kapacitetet detare, depot e raketave dhe dronëve, pozicionet e mbikëqyrjes bregdetare dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.
Një kundërpërgjigje pati edhe Irani, ndërsa pretendon se vuri në shënjestër 3 baza të ushtrisë së SHBA në Kuvajt. “Operacioni 'Vetëtima', disa orë më parë, shënjestroi me dronë të shumtë sulmues objektet e magazinimit të municioneve dhe logjistikës të Ushtrisë Amerikane 'vrasëse të foshnjave'”, lexohet në njoftimin e autoriteteve në Teheran. Garda Revolucionare e Iranit pretendoi se kishte shkatërruar sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot.
Lufta mes palëve është përqëndruar dhe në det. Uashingtoni njofton se ka ndaluar 10 anije iraniane që të kalonin bllokadën ujore. Kurse Teherani thekson se “tre cisterna nafte që përpiqeshin të kalonin rrugën e minuar në jug të Ngushticës së Hormuzit u ndaluan nga Garda Revolucionare.
“Asnjë pikë nafte nuk del nga Hormuzi nëse SHBA-të godasin infrastrukturën”, paralajmëron Irani. Presidenti amerikan, Donald Trump, pasi u dha lamtumirë e fundit ushtarëve të rënë, publikoi në rrjetin e tij social këtë mesazh: “Trump urdhëron Komandën Qëndrore që ‘të hapë portat e ferrit’ pas vrasjes së ushtarëve amerikanë”. (A2 Televizion)