Trump "shënjestron" Iranin: Do godasim urat dhe centralet elektrike

Nga Erjon Dervishi
22 Korrik 2026, 19:38 | Bota

Trump "shënjestron" Iranin: Do godasim urat dhe centralet

Presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kërcënimet e tij për të sulmuar infrastrukturën iraniane, duke thënë se SHBA-të do të sulmojnë një urë ose termocentral sa herë që Teherani synon një anije në Ngushticën e Hormuzit. SHBA-të dhe Irani kanë intensifikuar sulmet ndërsa një marrëveshje e përkohshme armëpushimi e nënshkruar muajin e kaluar është shpërbërë dhe një luftë për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit është thelluar, duke rritur rrezikun e një kthimi në armiqësi të gjithanshme.

"Sa herë që Republika Islamike e Iranit qëllon një anije në Ngushticën e Hormuzit, qoftë me raketë, dron apo çdo pajisje apo armë tjetër, Shtetet e Bashkuara do të bombardojnë dhe shkatërrojnë një urë apo central elektrik, duke përfshirë ato që ndodhen pranë ose brenda kryeqytetit të Teheranit", tha Trump.

Javën e kaluar, mediat raportuan për sulme ushtarake amerikane ndaj disa urave dhe një aeroporti në Iran. Nuk ka pasur konfirmim zyrtar të këtyre sulmeve. Sulmet ndaj urave kishin për qëllim të prishnin linjat e furnizimit për një bazë detare iraniane në Ngushticën e Hormuzit, raportoi Wall Street Journal, duke cituar një zyrtar amerikan. Në përgjigje, Irani nisi sulme të mëtejshme hakmarrëse kundër objektivave në shtetet e Gjirit, Kuvajt, Bahrein dhe Katar, të cilat janë aleate të Uashingtonit.

Disa ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe liderë botërorë kanë kritikuar kërcënimet e Trump për të synuar urat dhe termocentralet iraniane si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare që ndalon sulmet ndaj objektivave civile.

Nga ana e tij, Ambasadori i Iranit në OKB kishte deklaruar se sulmet e SHBA-së ndaj infrastrukturës civile përbënin krime lufte. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, shprehu gjithashtu shqetësim përmes një zëdhënësi në lidhje me sulmet ndaj infrastrukturës civile në Iran dhe në të gjithë rajonin. "Sulme të tilla janë të papranueshme", tha ai. Ndërkohë, ushtria amerikane deklaroi se kishte goditur dhjetëra "objektiva ushtarake" me municione precize, duke përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe instalime radarësh mbikëqyrjeje bregdetare.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos