Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Damask të Sirisë. Një shpërthim i rëndë ka ndodhur duke lënë të plagosur afro 18 persona. Një burim sigurie tha për Reuters se bombat shpërthyen pranë hotelit ku Emmanuel Macron po qëndronte në Siri pas vizitës së tij zyrtare atje. Mediat ndërkombëtare raportojnë se presidenti francez nuk i dëgjoi shpërthimet, edhe pse shpërthimi ndodhu kur ai u takua me Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa.
Shpërthimet nënvizojnë sfidat e mëdha të sigurisë në Siri, ku Macron është kreu i parë i shtetit të një vendi të Bashkimit Evropian që viziton vendin që kur rebelët e udhëhequr nga Sharaa rrëzuan Bashar Al-Assad në vitin 2024.
Një dëshmitar i Reuters dëgjoi shpërthime në afërsi dhe pa tym që ngrihej. Rrugët u mbyllën dhe u zbatuan masa sigurie, tha burimi i sigurisë.
Macron ndodhet në kryeqytet për bisedime me homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, në pallatin presidencial.
Një burim i sigurisë i tha BBC-së se shpërthimet u shkaktuan nga dy mjete shpërthyese dhe se disa persona kanë mbetur të plagosur.
Pas vizitës në Siri, Macron pritet të udhëtojë drejt Turqisë për samitin e NATO-s. Vizita "vazhdon sipas planit", sipas Pallatit Elysee.
Pas raportimeve për shpërthimin në qytet, video dhe imazhe në rrjetet sociale tregonin shtëllunga tymi dhe flakë që dilnin nga një automjet pranë një hoteli në kryeqytetin sirian.
Presidenti francez nuk dëgjoi asnjë shpërthim gjatë rrugës për në takim, thanë zyrtarët e tij.
Me të mbërritur në Siri të hënën në mbrëmje, Macron u bë udhëheqësi i parë i BE-së që vizitoi vendin që nga rënia e sundimit 24-vjeçar të Bashar al-Assad.
Vizita e Macron ka nxjerrë në pah transformimin gjeopolitik të Sirisë nën drejtimin e Sharaa, një ish-komandant i al-Kaedës i cili ka krijuar lidhje të ngushta me fuqitë perëndimore dhe të Lindjes së Mesme që e shmangën Assadin, ndërsa ai kërkon të rindërtojë një vend të shkatërruar nga 13 vjet luftë. (A2 Televizion)