Sot vendoset për sulmet ushtarake, Trump vendos tarifa 25% për shtetet që bëjnë biznes me Iranin

Nga Xhevahir Qardaku
13 Janar 2026, 10:16 | Bota

Shtetet e Bashkuara vendosin masën e parë kundër Iranit. Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se vendet që bëjnë biznes me atë shtet do të përballen me një tarifë prej 25% në tregtinë me SHBA-në.

Vendimi vjen në përgjigje të shtypjes vdekjeprurëse të protestave antiqeveritare. Trump është informuar gjithashtu mbi një sërë opsionesh ushtarake dhe të fshehta për përdorim në vend, thanë zyrtarët për CBS Neës, duke përfshirë sulme me raketa me rreze të gjatë veprimi, si dhe mjete kibernetike dhe psikologjike. Në ditët e fundit, presidenti amerikan ka paralajmëruar për një ndërhyrje të mundshme ushtarake nëse vriten protestues, ekipi i tij i sigurisë kombëtare pritet të takohet më vonë për të diskutuar opsionet, shkruan A2.

“Diplomacia është gjithmonë opsioni i parë për presidentin. Ai ju tha të gjithëve se ajo që po dëgjoni publikisht nga regjimi është mjaft e ndryshme nga mesazhet që administrata po merr privatisht, dhe mendoj se presidenti ka interes t'i shqyrtojë këto mesazhe. Megjithatë, presidenti ka treguar se nuk ka frikë të përdorë opsione ushtarake nëse e sheh të nevojshme, dhe askush nuk e di këtë më mirë se Irani”, Karoline Leavitt.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u bëri thirrje “politikanëve amerikanë”, siç tha ai, që “t'i japin fund mashtrimit të tyre” dhe vlerësoi tubimet pro-qeveritare të organizuara nga shteti në Iran. Ministri i Jashtëm thotë se Teherani është i hapur për bisedime me Uashingtonin, por mbetet “i përgatitur për luftë”. Të paktën 648 protestues janë vrarë në shtypjen e vazhdueshme në Iran, thotë një grup i të drejtave të njeriut, por paralajmëron se numri i të vdekurve mund të jetë shumë më i lartë.

Një ndërprerje disaditore e internetit po e bën të vështirë verifikimin e informacionit që vjen nga vendi, dhe shumica e mediave të tjera ndërkombëtare të lajmeve nuk janë në gjendje të raportojnë nga Irani. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos