Putini ftoi liderët europianë në Moskë, Merz zbulon kushtin për shefin e Kremlinit

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2026, 23:26 | Bota

Putini ftoi liderët europianë në Moskë, Merz zbulon kushtin

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se liderët evropianë janë të gatshëm të zhvillojnë bisedime me Rusinë, por vetëm nëse përfshihen në negociatat që po zhvillohen për paqen në Ukrainë. Ai tha gjithashtu se do të preferonte që këto diskutime të mbaheshin në një “terren neutral”.

Deklaratat e tij të enjten erdhën vetëm pak orë pasi presidenti rus Vladimir Putin ftoi përfaqësuesit evropianë në Moskë, për të qartësuar qëndrimin e tyre lidhur me përfundimin e konfliktit në Ukrainë.

Merz tha se ishte “natyrisht i gatshëm për bisedime me Rusinë”, me kusht që vendeve evropiane t’u sigurohej një vend në tryezën e negociatave, krahas SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, raportoi agjencia gjermane e lajmeve dpa.

Kancelari foli në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas samitit të zhvilluar në Berlin të të ashtuquajturit “Koalicioni i të Vullnetmirëve”, një grup i udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe, që mbështet Kievin.

Koalicioni ka kërkuar vendosjen e trupave në Ukrainë pas arritjes së një armëpushimi, një propozim që Moska e ka refuzuar si “të papranueshëm”, duke paralajmëruar se çdo prani ushtarake e NATO-s do të kalonte një vijë të kuqe.

Liderët evropianë kanë kërkuar gjithashtu ndalimin e menjëhershëm dhe pa kushte të luftimeve, ndërsa Rusia këmbëngul për një zgjidhje të qëndrueshme, duke argumentuar se një armëpushim i përkohshëm do t’i mundësonte vetëm Kievit të riarmatosej me ndihmën e Perëndimit.

Pavarësisht kërkesave për një rol më të madh diplomatik, qeveritë evropiane deri më tani janë lënë jashtë negociatave trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, që po zhvillohen në Emiratet e Bashkuara Arabe.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos