Nga Fushë-Arrësi e Klosi te Përrenjasi dhe Belshi apo Këlcyra, Selenica e Libohova, bashkë me tetë bashkitë e tjera që shkrihen me hartën e re territoriale. 2027-a është viti i fundit që këto njësi të pushtetit vendor marrin para nga buxheti i shteti. Ministri i Financave, Petrit Malaj sqaroi se çfarë ndodh me paratë e këtyre bashkive pas hyrjes në fuqi pas hartës së re territoriale.
“Konstituimi i bashkive të reja do të ndodhi në muajin shtator dhe për tremujorin e fundit që do të mbetet nga viti, nëpërmjet një akti normativ, fondet të cilat kanë janë të alokuara te bashkitë që do të përthithen do t'i kalojnë bashkive të cilat po i përthithin”, tha Petrit Malaj, minister i Financave.
Shpenzimet për pushtetin vendor në vitin 2027 janë planifikuar në vlerën e 114 miliardë lekëve, nga të cilat 56 miliardë shpërndahen nga buxheti i shtetit. Nga viti i ardhshëm prite të ndryshojë tërësisht edhe folrmula me të cilën ndahet buxheti për pushtetin vendor.
“Ne përgjatë vitit që vjen do të rishikojmë edhe formulën i shpërndarjes përsa i përket granteve të pakushtëzuarave që ju japim bashkive pasi do duhet të rishikohet edhe për vetë faktin sepse do të kemi një rishikim të numrit, por nga ana tjetër do duhet që të fillojmë edhe të mendojmë për një autonomi më të madhe për sa i përket pushtetit vendor”, tha Petrit Malaj, minister i Financave
Aktualisht fondet që shkojnë për bashkitë si transfertë e pakushtëzuar bazohen në treguesit e numrit të popullsisë, dendësisë së saj, si dhe numrit të nxënësve dhe rregullohen më tej duke ndjekur një ekuacion financiar bazuar në kapacitetin fiskal të bashkisë për të rritur të ardhurat. Por me uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, edhe kjo formulë do t’i përshtatet ndarjes së re. (A2 Televizion)