Një operacion ndërkombëtar antidrogë ka çmontuar një nga rrjetet më të mëdha të trafikut të kokainës, që përdorte varkash të shpejta për të transportuar drogë nga Amerika e Jugut në Ishujt Kanarie. Policia spanjolle njoftoi se janë sekuestruar gati katër tonë kokainë dhe janë arrestuar 48 persona në Fuerteventura, Gran Canaria dhe Lanzarote.
Operacioni, i quajtur “Black Shadow”, u zhvillua me bashkëpunim ndërkombëtar midis agjencive të zbatimit të ligjit nga Europa, Amerika e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Sipas Europol-it, grupi kriminal përdorte anije kryesore të ngarkuara me kokainë nga Brazili dhe Kolumbia, ndërsa varkat e shpejta, të ashtuquajturat “narco-boats”, e merrnin drogën dhe e sillnin në Ishujt Kanarie. Banda gjithashtu përdorte një anije të braktisur në det të hapur si platformë furnizimi me karburant, duke rritur më tej kompleksitetin e operacionit.
Hetimet zbuluan përdorimin e sistemeve të koduara të komunikimit, përfshirë terminale satelitore, telefona të vështirë për t’u gjurmuar dhe gjuhë të koduar, për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Gjatë operacionit janë bastisur 29 prona, janë sekuestruar 69 mjete – përfshirë anije dhe jet ski – si dhe sasi të konsiderueshme parash dhe armë. Policia spanjolle tha se rrjeti ishte përgjegjës edhe për shpërndarjen lokale të drogës në Kanarie. (A2 Televizion)