Tajvani përlesh “Dragoin” dhe “Shqiponjën”. Trump pas takimit historik me Xi: Më ofroi ndihmë për Iranin

Nga Xhevahir Qardaku
14 Maj 2026, 23:03 | Bota

Betejën për shtrëngimin e duarve e luftuan të dy. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, i rezervoi një pritje madhështore homologut amerikan, Donald Trump, në vizitën historike që e rikthen atë pas një dekade në Pekin.

Liderët e dy superfuqive kryesore të botës diskutuan gjithçka me super delegacionet që kishin me vete, por fokusi natyrisht që ishte dhe tek lufta në Iran dhe zhbllokimi i Ngushticës së Hormuzit, shkruan A2.

Pas dollive në banketin thuajse mbretëror, Presidenti amerikan deklaroi se lideri kinez i ka ofruar ndihmë Uashingtonit për të gjetur një zgjidhje diplomatike me Teheranin, në një kohë kur tensionet mbi programin bërthamor iranian dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit kanë hyrë në fazën më të rrezikshme të viteve të fundit.

“Presidenti Xi dëshiron të arrihet një marrëveshje. Ai tha se nëse mund të ndihmojë në çfarëdo mënyre, është i gatshëm ta bëjë,” deklaroi Trump në një intervistë për Fox News pas takimit maratonë me liderin kinez në Pekin.

Sipas Presidentit amerikan, Xi Jinping kërkon gjithashtu që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur. Bëhet fjalë për arterien më të rëndësishme energjetike në botë, nga ku kalon një pjesë e madhe e naftës globale dhe që prej javësh ndodhet në qendër të krizës mes Iranit dhe Perëndimit.

Kina, konsumatori më i madh i naftës iraniane dhe një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Teheranit, duket se po përpiqet të shmangë një destabilizim që do të godiste drejtpërdrejt ekonominë globale dhe interesat e saj strategjike.

Megjithatë, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, nxitoi të minimizojë idenë se Uashingtoni po kërkon ndërmjetësimin e Pekinit. Në një intervistë për NBC Neës, Rubio theksoi se SHBA “nuk ka nevojë për ndihmën e Kinës”, por vetëm ka dashur t’i bëjë të qartë Pekinit pozicionin amerikan ndaj Iranit.

Por, përtej Lindjes së Mesme, takimi Trump-Xi nxori në pah edhe një tjetër front të ndjeshëm: Tajvanin. Rubio deklaroi se politika amerikane ndaj ishullit “mbetet e pandryshuar”, ndërsa paralajmëroi se çdo ndryshim me forcë i status quo-së do të ishte i rrezikshëm për të dy superfuqitë.

Më herët, personalisht lideri kinez e konsideroi ishullin një vijë të kuqe që mund të fuste palët në një konflikt. Por, mes diplomacisë, krizës iraniane dhe përplasjes strategjike në Azi, Trump solli edhe një lajm ekonomik që e cilësoi si fitore të madhe për SHBA-në.

Sipas tij, Xi Jinping ka rënë dakord të porosisë 200 avionë Boeing, një marrëveshje që presidenti amerikan e paraqiti si një angazhim të drejtpërdrejtë nga lideri kinez. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos