Vendimi i Presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa tregtare për vendet e tjera ka tronditur ekonominë globale.
Sipas mediave të huaja, të parat që e ndjenë luahatjen ishin tregjet aziatike. Aksionet e tyre ishin në kolaps. Në Tokio, indeksi Nikkei me 225 aksione ra 2.6 për qind ndërsa Topix ishte 3.5 për qind më i ulët, shkruan A2 CNN.
Në Japoni, stoqet e industrisë së çipave ranë ndjeshëm. Advantest dhe Tokyo Electron ranë përkatësisht me 7% dhe 4%. Të gjithë, përveç katër nga 33 nën-indekset e sektorit të Bursës së Tokios, ranë, ku indeksi bankar pati performancën më të keqe, me një rënie prej 6.4 %.
Guvernatori i Bankës së Japonisë tha se banka qendrore do të shqyrtojë nga afër ndikimin e tarifave të SHBA në ekonominë e vendit kur të vendosë politikën monetare. Ai paralajmëroi gjithashtu se taksat më të larta ka të ngjarë të rëndojnë në rritjen ekonomike globale dhe të brendshme.
Ndëkrohë, bursa e Shangait mbeti e mbyllur. Indeksi i kompanive kryesore në Shangai dhe Shenzhen gjithashtu patën ulje.
Ndikim pati edhe tek Bursat evropiane të cilat e nissn sërish me rënie, në linjë me Azinë dhe Wall Street. Frika për efektet e tarifave të vendosura nga Donald Trump ka detyruar këto vende që të shqyrtojnë mundësinë e negociatave tregtare.
Krejt e kundërta ka ndodhur me bursën e Moskës e cila ka pësuar rritje. Bursa e Moskës fitoi 2.04% në tregtimin e parë të ditës, përpara se të vendosej në +1.76% krahasuar me një ditë para se Trump të vendoste tarifat. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia ruse e lajmeve Tass.
Sakaq, Donald Trump është shprehur i hapur për uljen e tarifave të shpallura. Por vetëm në rast se vendet ofrojnë diçka "duke parë". Trump tha se ishte i lumtur për rënien e normave të interesit dhe beson se trazirat ekonomike do të ulen. “Tarifat na japin fuqi të madhe negociuese”, tha Trump, duke shtuar: “Çdo vend na ka thirrur”.
Nga ana e tij, Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar i përshkroi tarifat e reja të importit si një “rrezik të rëndësishëm” për ekonominë globale. Ato "paraqesin qartë një rrezik të rëndësishëm për perspektivën globale" në një kohë të rritjes së dobët, shpjegoi Kristalina Georgieva të enjten. Është e rëndësishme të shmangen hapat që mund të shkaktojnë dëme të mëtejshme në ekonominë globale. (A2 Televizion)