Si pasojë e sulmeve izraelite janë vrarë të paktën 30 persona në mbarë Rripin e Gazës, thanë autoritetet lokale më 18 qershor.
Në mesin e viktimave përfshihen edhe palestinezë që u vranë teksa po prisnin në radhë për të marrë ndihma para qendrave të shpërndarjes.
Tre javë më parë, Izraeli e hoqi pjesërisht bllokadën e vendosur në Gazë, e cila kishte pamundësuar hyrjen e furnizimeve në territorin palestinez për pothuajse tre muaj.
Që kur është hequr pjesërisht bllokada, pothuajse çdo ditë ka pasur raportime për palestinezë të vrarë pranë qendrave të shpërndarjes së ndihmës.
Punëtorët shëndetësorë thanë se në sulmet e ndara ajrore ndaj shtëpive në kampin e refugjatëve në Magazi dhe në lagjen Zeitu në veri të Gazës, u vranë të paktën 14 persona. Pesë të tjerë u vranë në Han Junis, në jug të territorit palestinez.
Njëmbëdhjetë të tjerë u vranë teksa palestinezët po prisnin kamionët me ndihma – të dërguara nga Kombet e Bashkuara – në pjesën qendrore të Gazës, thanë punëtorët shëndetësorë.
Ushtria izraelite tha se është duke hetuar raportimet për vdekjen e njerëzve që ishin duke pritur për të marrë ushqime. Ndërsa sa i përket sulmeve të tjera, ushtria tha se ato kishin për synim të shkatërronin kapacitetet ushtarake të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Të martën, Ministria e Shëndetësisë në Gazë tha se 397 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 3.000 janë plagosur teksa ishin duke pritur për marrjen e ndihmave që kur nisi shpërndarja e tyre në disa qendra në këtë territor në fund të majit.
Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 njerëz dhe duke marrë afër 250 pengje. Izraeli thotë se 58 pengje mbeten në Gazë, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.
Që atëherë, lufta e Izraelit ka vrarë më shumë se 55.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL (A2 Televizion)