Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dalë përsëri kundër Bashkimit Europian për sa i përket raporteve me Rusinë. Në përfundim të samitit dy-ditor të G7 në Kanada, mospajtimi i vendeve të industrializuara me Rusinë u bë përsëri i dukshëm. Sipas burimeve kanadeze, citojnë mediat gjemane, Shtetet e Bashkuara bllokuan një deklaratë të përbashkët përfundimtare në të cilën gjashtë vendet e tjera do të dënonin veprimet e Rusisë në Ukrainë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u largua që pas ditës së parë të samitit, duke përmendur situatën në Lindjen e Mesme si arsye. Sipas burimeve kanadeze, në mungesë të tij, delegacioni amerikan bllokoi një tekst me "gjuhë të fortë" mbi Rusinë, i cili u mbështet nga Gjermania, Franca, Italia, Britania e Madhe, Japonia dhe Kanadaja.
Para se të kthehej në Berlin, Kancelari Friedrich Merz (CDU) shprehu megjithatë kënaqësinë e tij për samitin në Kanada. Kancelari tha se ekziston "një konsensus" midis vendeve të industrializuara për të vazhduar ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Kryeministri kanadez Mark Carney premtoi miliarda dollarë ndihmë shtesë ushtarake për Kievin. Trump e kishte hedhur poshtë tashmë kërkesën e evropianëve për sanksione më të ashpra kundër Rusisë që në ditën e parë të samitit.
Merz tha megjithatë se po kthehej në Gjermani "me optimizëm të kujdesshëm se vendimet do të merren edhe në Amerikë në ditët në vijim për të vendosur sanksione të mëtejshme kundër Rusisë".
Sakaq, bëhet e ditur se administrata Trump ka pezulluar javët e fundit një grup pune i cili ishte ngritur për të formuluar strategji për të ushtruar presion mbi Rusinë që të përshpejtojë bisedimet e paqes me Ukrainën, thekson Reuters. Përpjekja, e cila u krijua më herët gjatë pranverës, humbi vrullin në maj, ndërsa pjesëmarrësve iu bë gjithnjë e më e qartë se Presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk ishte i interesuar të miratonte një qëndrim më konfrontues ndaj Moskës, thanë zyrtarët.
Ndërkohë bëhet e ditur se një zyrtar i lartë i administratës Trump planifikon të udhëtojë për në Bjellorusi në ditët në vijim për të takuar presidentin e vendit. Nëse zyrtari, i dërguari i Ukrainës Keith Kellogg, takohet me Presidentin Bjellorus Alexander Lukashenko, ai do të jetë zyrtari më i lartë amerikan që viziton shtetin autoritar në vite.
Agjenda e saktë e takimit është e paqartë, megjithëse Kellogg privatisht e ka portretizuar udhëtimin si një hap që mund të ndihmojë në rifillimin e bisedimeve të paqes që synojnë t'i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, thekson Reuters. (A2 Televizion)