Presidenti rus Vladimir Putin ka vlerësuar sensin e humorit të Donald Trump, pasi presidenti amerikan tha se Xi Jinping po "komplotonte" kundër Amerikës me Putinin dhe Kim Jong Un në Pekin.
Sipas mediave të huaja, i pyetur për komentin, Putin tha se Trump ka një "sens të mirë humori" dhe se për të u fol mirë nga të pranishmit në samitin ekonomik në Kinë këtë javë.
"Askush nuk tha asgjë negative në lidhje me administratën aktuale të SHBA-së", tha Putin, shkruan A2 CNN.
"Të gjithë ata që takova mbështetën takimin tonë në Anchorage dhe shprehën shpresën e tyre se qëndrimi i Trump do të çonte në fund të konfliktit ushtarak, kështu që nuk ka ironi apo shaka", vijoi Putin më tej.
I pyetur nëse planifikonte ta priste Donald Trumpin në Moskë në të ardhmen e afërt, Putin tha se nuk ka planifikuar asnjë takim, por "ftesa është në tavolinë". (A2 Televizion)