Sipas burimeve lokale Hamasi ka thirrur rreth 7,000 anëtarë të forcave të tij të sigurisë për të rivendosur kontrollin mbi zonat e Gazës të liruara së fundmi nga trupat izraelite, duke emëruar pesë guvernatorë të rinj, të gjithë me përvojë ushtarake, disa prej të cilëve më parë komandonin brigada në krahun e tij të armatosur për të mbikëqyrur operacionet.
Mediat e huaja bëjnë të ditur se urdhri i mobilizimit thuhet se u lëshua nëpërmjet telefonatave dhe mesazheve me tekst që shkruanin: “Ne shpallim një mobilizim të përgjithshëm në përgjigje të thirrjes së detyrës kombëtare dhe fetare, për të pastruar Gazën nga të jashtëligjshmit dhe bashkëpunëtorët me Izraelin. Ju duhet të raportoni brenda 24 orëve në vendet tuaja të caktuara duke përdorur kodet tuaja zyrtare.”
Raportet nga Gaza bëjnë të ditur se njësi të armatosura të Hamasit janë vendosur tashmë në disa rrethe, disa të veshura me rroba civile dhe të tjera me uniformat blu të policisë së Gazës.
Mobilizimi i Hamasit ishte pritur gjerësisht mes pasigurisë në rritje se kush do ta qeverisë Gazën, pasi të përfundojë lufta, një çështje kyçe që mund të ndërlikojë fillimin e fazës së dytë të planit të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili bën thirrje që Hamasi të çarmatoset, përcjell A2 CNN.
Një zyrtar i Hamasit jashtë vendit nuk pranoi të komentonte drejtpërdrejt mbi raportet e vendosjes së sigurisë, por i tha BBC-së: “Nuk mund ta lëmë Gazën në mëshirën e hajdutëve dhe milicive të mbështetura nga pushtimi izraelit. Armët tona janë legjitime, ato ekzistojnë për t'i rezistuar pushtimit dhe do të mbeten për sa kohë që pushtimi vazhdon.”
Një oficer sigurie palestinez në pension, i cili shërbeu për vite me radhë me Autoritetin Palestinez në Gaza, tha se kishte frikë se territori po shkonte drejt një raundi tjetër gjakderdhjeje të brendshme.
“Hamasi nuk ka ndryshuar. Ai ende beson se armët dhe dhuna janë të vetmet mjete për ta mbajtur gjallë lëvizjen e tij”, i tha ai BBC-së.
Këto zhvillime që nga armëpushimi kanë ngjallur shqetësim të thellë midis banorëve të Gazës, të cilët janë tashmë të lodhur nga dy vjet konflikt shkatërrues. (A2 Televizion)