Thirren dhjetëra mijëra rezervistë, qeveria e Izraelit miraton planin për pushtimin e Gazës

Nga A2 CNN
20 Gusht 2025, 11:52 | Bota

Ushtria e Izraelit merr dritën e gjelbër për pushtimin e qytetit të Gazës. Ministri i mbrojtjes, Israel Katz, miratoi planin e propozuar nga shefi i shtabit të Forcave të Mbrojtjes të izraelit, Gjenerali Eyal Zamir.

Ofensiva për pushtim është quajtur “Tanket e Gideonit B”, që vjen pas një operacioni precedent, po me të njëjtin emër, që rezultoi me pushtimin e 75% të territorit të Rripit të Gazës.

Mediat në Izrael shkruajnë se kjo është një përpjekje për të detyruar Hamasin që të pranojë një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Lidhur me këtë ofensivë, ushtria ka thirrur nën armë rreth 60 mijë rezervistë izraelitë, që pritet të dërgohen në qytetin e Gazës për të zbatuar urdhrat për pushtim.

Rezervistët do të njoftohen për planet e reja të paktën 2 javë përpara se të nisin shërbimin. Megjithatë, jo të gjithë do të dërgohen në operacionin për pushtim. Disa prej tyre do të zëvendësojnë trupat izraelite në fronte të tjera.

Qeveria e Gazës që drejtohet nga Hamasi, konfirmon se të paktën 18 885 fëmijë janë vrarë në enklavën palestineze nga forcat e Tel Avivit që nga nisja e luftës më 7 tetor 2023. Bilanci total ka shkuar në mbi 62 mijë të vrarë.

Izraeli njofton se kohët e fundit është vrarë Muhammad Naif Abu Shamala, komandant i forcave special të Hamasit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos