Agjencia e lajmeve "Bloomberg" në një artikull të publikuar këtë të martë pretendon se TikTok në Amerikë i është ofruar miliarderit Elon Musk për ta blerë, në rast se kompania ByteDance që është pronare e platformës sociale, nuk arrin të parandalojë mbylljen e saj sipas vendimit të Presidencës Biden.
Bytedance sakaq e ka çuar në Gjykatën e Lartë të SHBA çështjen ku kundërshton ndalimin e operacioneve të saj në Shtetet e Bashkuara.
Nëse apelimi i TikTok në Gjykatën e Lartë nuk ka efektet e dëshiruara, sipas Bloomberg, platforma sociale e Musk, X, mund të marrë kontrollin e TikTok US si pjesë e një lloj marrëveshjeje bashkëmenaxhimi.
Sipas Bloomberg zyrtarët kinezë nuk kanë marrë ende një vendim përfundimtar në lidhje me çështjen e shitjes së rrjetit social, por Bytedance i ka mohuar zyrtarisht këto thashetheme, duke e quajtur artikullin “trillim të pastër”.
Elon Musk, i cili është gjithmonë bujar me komente, këtë herë ka preferuar të mos thotë asnjë fjalë. As rregullatorët kinezë të sektorit, dhe veçanërisht Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës dhe Ministria Kineze e Tregtisë, nuk kanë bërë ndonjë koment për këtë çështje.
Gjykata e Lartë e SHBA javën e kaluar u duk e prirur të mbështeste një ligj të miratuar nga Kongresi federal që do ta detyronte ByteDance të heqë dorë nga operacionet e TikTok në SHBA deri më 19 janar, ose të përballet me një ndalim të platformës në vend.
Kongresi e justifikoi masën në bazë të shqetësimeve të sigurisë kombëtare, duke argumentuar se TikTok po përdoret nga Kina si një mjet për ndikim të padrejtë në proceset zgjedhore dhe demokratike në SHBA. (A2 Televizion)