Kryeministri Edi Rama ka kërkuar dorëheqjen e rreth 100 drejtorëve të institucioneve qendrore dhe rajonale, në një lëvizje që sipas burimeve të A2 CNN është pjesë e një reforme të planifikuar përpara nisjes së protestave studentore.
Në një raportim për Puls me Bruna Çfiligun, gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi tha se bëhet fjalë për një proces rivlerësimi të drejtuesve, me synimin që emërimet dhe vazhdimësia në detyrë të bazohen te meritokracia dhe performanca. Në këtë valë përjashtohen tre sektorë që lidhen me protestën: policia, arsimi dhe shëndetësia.
“Ka qenë një reformë e planifikuar më herë përpara se të niste protesta. Nuk lidhet drejtpërdrejtë me protestën pasi nga kjo valë largimesh përjashtohen në tre sektorë të rëndësishëm, që mund të lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me protestën; policia, arsimi dhe shëndetësia, por sipas burimeve brenda qeverisë bëhet fjalë për rreth 100 poste drejtorësh qendrorë dhe rajonalë të cilat do të rishikohet, do të ketë një ridimensionim”, raportoi gazetarja e A2 CNN.
Dorëheqjet janë kërkuar të jenë të menjëhershme, por drejtuesit do të qëndrojnë në detyrë deri në vlerësimin e tyre. Ata që do të vlerësohen pozitivisht mund të vijojnë punën, ndërsa për postet që do të mbeten vakante parashikohet një proces përzgjedhjeje përmes pikëzimit ose formularëve të vlerësimit.
“Ajo se çfarë kemi mësuar është që dorëheqja e tyre ka qenë e menjëhershme. por nuk kjo është një dorëheqje që do firmosin letra dhe do largohet nga ai post. Do qëndrohet derisa të vlerësohet dorëheqja e tyre. Në momentin që të vlerësohet do shikojë nëse ka një performancë të mirë atëherë do qëndrojë në detyrë. Në rast të kundërt do të vendoset dikush tjetër në vendin e një drejtori të caktuar në një institucion të përcaktuar. Për ata të cilët do të kenë poste të lira, të cilët do largohen pasi të bëhet vlerësimi dorëheqjes do të jetë një garë ose do të jetë një garë pikëzimi ose do të jetë nëpërmjet një formulari që më pas ky formular të shikohet dhe më pas të vlerësohet nëse X person vlen që të drejtojë një institucion të caktuar apo jo. Kjo është deri më tani ajo se çfarë dihet për këtë valë shkarkimesh të cilat nuk lidhet me protestën dhe nuk ka ndikim për protestën. Pasi nëse do të ishte pikërisht përsa i përket kërkesave që ato kanë, pakënaqësive që ato kanë, janë tre sektorë të cilët kanë imunitet nga kjo valë përjashtimesh”.
Ndërkohë, kryeministri ka përsëritur ftesën për dialog me studentët dhe ka akuzuar Partinë Demokratike për përfshirje në protestat e dhunshme. Por, sipas raportimit, nuk ka ende një plan konkret për një takim mes palëve.
Protestuesit vijojnë të kërkojnë largimin e Ramës, ndërsa kryeministri ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes dhe të zgjedhjeve të parakohshme. (A2 Televizion)