Ushtria izraelite lëshoi urdhra të reja evakuimi për banorët në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis. Trupat e Tel Avivit paralajmërojnë se do të “operojnë me forcë”, ndërsa vazhdon me një operacion që tashmë ka zhvendosur dhjetëra mijëra palestinezë.
Khan Younis është përballur me bombardime në rritje kohët e fundit dhe një sulm i ri tokësor izraelit i nisur në fillim të kësaj jave ka vrarë dhjetëra civilë të pafajshëm. Forcat e Mbrojtjes të Izraelit paralajmëruan se do të reduktojnë zonën humanitare në pjesën lindore të qytetit, për shkak të inteligjencës që grupi Hamas kishte ngulitur në zonë. Luftimet kanë vazhduar në Gaza për muaj të tërë dhe ofensiva e ripërtërirë tregon sfidat e Izraelit në arritjen e qëllimit të tij për të eliminuar Hamasin. Izraeli tha se rreth 100 militantë ishin vrarë gjatë luftimeve të fundit.
Kombet e Bashkuara vlerësuan se rreth 150,000 njerëz u larguan nga Khan Younis vetëm të hënën, duke intensifikuar presionin mbi furnizimet e pakta të ushqimit dhe ujit dhe vendet për të kërkuar strehim. Një dëshmitare në Khan Younis tha për CNN se ajo u "zgjua nga britmat" e njerëzve ndërsa ata u larguan nga zona pas urdhrit të evakuimit.
Zona e caktuar humanitare në Al-Mawasi ka qenë nën sulme të përsëritura izraelite, duke përfshirë një sulm më 14 korrik, i cili thuhet se vrau 90 njerëz dhe plagosi 300 të tjerë, shumica gra dhe fëmijë të pafajshëm. Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake në Gaza më 7 tetor pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor. Të paktën 1200 njerëz u vranë dhe më shumë se 250 të tjerë u rrëmbyen, sipas autoriteteve izraelite.
Aksioni ushtarak izraelit në Gaza ka vrarë mbi 39 mijë palestinezë dhe plagosur mbi 90 mijë të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë atje. Që nga fillimi i korrikut, gati 2 milionë njerëz ishin zhvendosur në Gaza - pothuajse e gjithë popullsia, sipas shifrave të OKB-së. (A2 Televizion)