Tragjedia në Korenë e Jugut, rritet ndjeshëm numri i viktimave nga rrëzimi i avionit me 181 persona në bord

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2024, 10:00 | Bota

Dhjetori ka sjellë një tjetër tragjedi të rëndë. Të paktën 176 persona janë konfirmuar të vdekur pasi një avion u rrëzua teksa po ulej në një aeroport në Korenë e Jugut.

Deri më tani raportohet për vetëm 2 të mbijetuar, të dy anëtarë të ekuipazhit të fluturimit, të cilët janë nxjerrë mes rrënojave që mbetën pas përplasjes. Përpjekjet për të gjetur të mbijetuar të tjerë vazhdojnë pasi në bord gjendeshin 181 pasagjerë.

Avioni i linjës ajrore Jeju ishte nisur nga Bankoku i Tajlandës. Pamjet e publikuara tregojnë avionin duke dalë nga pista dhe që përplaset me një mur, përpara se të shpërthente në flakë. Autoritetet në Korenë e Jugut kanë nisur hetimet, por ende nuk është konfirmuar ndonjë pistë, shkruan A2 CNN.

Shërbimi zjarrfikës thotë se ka dyshime që të kenë ndikuar përplasja me zogjtë dhe moti i keq. Mësohet se është rikuperuar njëra nga dy kutitë e zeza dhe hetuesit po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Sipas asaj që raporton CNN, piloti i avionit kishte bërë një thirrje për ndihmë, ndërsa kulla e kontrollit e kishte paralajmëruar për prezencën e madhe të zogjve në zonën përreth aeroportit. Ekipet e shpëtimit nuk kanë asnjë shpresë për gjetjen e të mbijetuarve të tjerë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos