
Antikushtetuese e ka cilësuar kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi kundërshtuar paketën ligjore të prezantuar nga kryeministri Edi Rama pas protestave në Tiranë. Në një reagim në rrjetet sociale bardhi shprehet se Rama se po përdor kërcënimet dhe masat ndëshkuese për të frenuar protestat e studentëve dhe të rinjve, me synimin për të mbrojtur pushtetin e tij.
Sipas Bardhit, paketa nuk do të realizohet, ndërsa paralajmëroi se asnjë kërcënim nuk do të ndalë qytetarët të kërkojnë liri, drejtësi dhe mirëqeverisje.
Reagim i kryetarit të grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi
Sapo shpalli diktaturën! Të paktën në mendjen e tij të sëmurë. Sepse harron një gjë: shqiptarët nuk do të pranojnë kurrë të kthehen 36 vite pas, vetëm për të mbrojtur karrigen e Edi Ramës.
Edi Rama mori përsipër përgjegjësinë për dhunën policore ndaj studentëve dhe të rinjve, ndërsa paralajmëroi se do t’ia nxjerrë sytë kujtdo që proteston. Do t’ia mbyllë gojën kujtdo. Do ta burgosë këdo. Do ta gjobisë këdo.
Ky që patë sot është Edi Rama i vërtetë: një diktator hajdut, i gatshëm t’i bëjë vendit të keqen më të madhe për të mbajtur karrigen e tij. Sot patë një Edi Ramë më të dobët se kurrë, që përballet me protestat e studentëve dhe sheh tek ato një sfidë të drejtpërdrejtë për pushtetin e tij dhe rrezikun e përgjegjësisë përpara drejtësisë.
Asgjë nga ato që tha nuk ka për t’u realizuar. Çdo germë e paketës “Kundër Studentëve” është antikushtetuese.
Edi Rama është një kryeministër politikisht i mbaruar. Numërimi mbrapsht ka nisur. Asnjë kërcënim nuk do ta ndalë vullnetin e qytetarëve për mirëqeverisje, liri, drejtësi dhe demokraci. (A2 Televizion)