Tre viktima nga hantavirusi në Venezuelë, autoritetet: Rastet janë të izoluara, nuk ka rrezik për publikun

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 19:21 | Bota

Tre viktima nga hantavirusi në Venezuelë, autoritetet: Rastet

Tre persona kanë humbur jetën nga hantavirusi në shtetin Anzoátegui, në lindje të Venezuelës, njoftoi Ministria e Shëndetësisë së vendit.

Autoritetet sqaruan se rastet e konfirmuara konsiderohen të izoluara dhe se aktualisht nuk ka një kërcënim për shëndetin publik.

Ministria bëri të ditur gjithashtu se dy vdekje të tjera të punonjësve të shëndetësisë në shtetin Barinas janë ende nën hetim dhe, deri tani, nuk ka prova që ato të kenë lidhje me rastet e konfirmuara në Anzoátegui.

Sipas autoriteteve venezueliane, hantavirusi transmetohet kryesisht nga brejtësit, veçanërisht në zonat rurale dhe bujqësore. Infektimi mund të ndodhë përmes thithjes së grimcave të kontaminuara nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e brejtësve, sidomos në ambiente të mbyllura.

Ministria e Shëndetësisë theksoi se nuk ka prova shkencore që në Venezuelë virusi të transmetohet nga personi në person.

Ndërkohë, Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) njoftuan muajin e kaluar për përfundimin e një reagimi ndaj një shpërthimi të hantavirusit në një anije turistike, ku tre persona humbën jetën.

Sipas CDC-së, varianti "Andes" i hantavirusit është i vetmi lloj i njohur deri më tani që mund të transmetohet mes njerëzve përmes kontaktit të afërt dhe të zgjatur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos