Cilat objektiva u arritën nga reforma territoriale? Përgjigjet deputeti socialist: Ka ende pika që duhen përmirësuar

Nga A2 CNN
21 Korrik 2026, 21:15 | Politikë

Deputeti i Partisë Socialiste, Klevis Jahaj, deklaroi se analiza e reformës territoriale të vitit 2014 ishte e nevojshme për shkak të ndryshimeve demografike, ekonomike dhe institucionale që ka kaluar vendi gjatë dekadës së fundit. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se qëllimi nuk ishte rishikimi i hartës administrative, por vlerësimi i rezultateve të reformës dhe identifikimi i treguesve që duhen përmirësuar.

“Është më se normale që pas një reforme të 2014-ës, qoftë politika, qoftë vendimmarrësi të bëjë një analizë të të gjithë reformës së vetë pas një dekade të kësaj reforme, sepse Shqipëria e vitit 2026 patjetër nuk është ajo e vitit 2014 ka lëvizur popullsia, ekonomia ka ndryshuar, institucionet janë të ndryshme. Pra, ka pasur një nevojë për të bërë një analizë të mirëfilltë kush janë të mirat dhe të këqijat që ka sjellë reforma e vitit 2014. Dhe nuk ka qenë absolutisht qëllimi i këtij komisioni, por i analizës së kësaj reformës, mbi hartën ose si edhe është munduar që të drejtohet kjo reformë. Kush janë treguesit kryesorë që duhen përmirësuar ose çfarë solli reforma e 2014-s çfarë përmirësoi, çfarë treguesish dhe si duhet ta vazhdojmë këtë ndryshim, qoftë me ndryshimet administrative, qoftë me rritjen e kompetencave ose të financave të bashkive, kush janë ato shërbime të cilat kanë munguar dhe mund të jenë më afër qytetarëve, por gjithashtu dhe kush janë realitetet e reja”, tha ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

I pyetur se cilat janë tre objektivat që u arritën dhe tre objektivat që nuk u arritën nga reforma territoriale që po lëmë pas, deputeti socialist tha se reforma ka sjellë përmirësime të dukshme në funksionimin e pushtetit vendor. Ai bëri të ditur se shpenzimet për shërbimet vendore janë rritur në periudhën 2015-2025, po kështu edhe të ardhurat e krijuara nga vetë bashkitë.

“Shpenzimet vendore nga këta tregues dhe nga administrimi i të dhënave rezulton që shpenzimet vendore nga 2015 në 2025-n janë rritur me 172%. Pra shpenzime të shërbimeve që ju jepen qytetarëve. Të ardhurat që pushteti vendor nga 2015 deri në 2025-n që ka krijuar vetë janë rritur me 248%. Vetë detyrimet e prapambetura të cilët janë të akumuluar. Pra detyrimet nuk ka të bëjë vetëm me bashkitë ekzistuese, por me detyrimet që kishin krijuar të gjitha njësitë e mëparshme vendore, ish-komunat, janë ulur me rreth 76% pra janë reduktuar nga 12.1 miliardë që kanë qenë dhe mund t'i saktësojmë këto shifra në 2.9 miliard. Pra do të thotë që bashkitë, strukturat e reja të njësive të qeverisjes vendore me reformën e 2014-s patjetër kanë pasur një performancë më të mirë”, theksoi deputeti Jahaj në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Jahaj pranoi se ka ende fusha që kërkojnë përmirësim, si rritja e kapaciteteve administrative, decentralizimi dhe autonomia financiare e bashkive, duke theksuar se këto çështje janë evidentuar gjatë dëgjesave me drejtuesit vendorë, ekspertët dhe qytetarët në të gjithë vendin.

“Nga raporti dhe nga ekspertët janë evidentuar të gjitha ato pika të cilat duhet të përmirësohen, pra që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve, me decentralizimin, me autonominë financiare që duhet të kenë njësitë qeverisjes vendore dhe të gjitha pika të tjera të cilat janë mbledhur jo vetëm nga dëgjesat me kryetarët e bashkive, por edhe me njerëzit, sepse vlen të theksohet që janë kryer në çdo bashki, qendër, qarku, dëgjesa të zgjeruara me qytetarë të cilët kanë shprehur dhe interesat e tyre”.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos