Një reformë e njëanshme që ka dështuar të arrijë objektivat e shpallura, e ka cilësuar deputeti demokrat Xhelal Mziu reformën territoriale të vitit 2014. Në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN ai tha se pushteti vendor duhet të bazohet te decentralizimi, afërsia me qytetarët, pavarësia nga pushteti qendror dhe autonomia financiare.
“Në gjithë Evropën dhe në të gjitha vendet perëndimore ose vendet të cilat respektojnë demokracinë, pushteti vendor është decentralizim. Pushteti vendor ka tre shtylla saj kryesore. Afërsia afër qytetarit, për të qenë shërbimi sa më pranë tij. Pavarësia e pushtetit vendor, pra për të mos qenë i varur nga pushteti qendror dhe është autonomia financiare e tyre”, tha Mziu në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas Mziut, reforma nuk solli kursimin e premtuar prej 80 milionë eurosh, por përkundrazi rriti ndjeshëm administratën vendore, ku numri i të punësuarve sipas tij në administratën lokale është rritur nga rreth 17 mijë në vitin 2015 në 41 mijë aktualisht.
“Mbaj mend që kryesorja ka qenë që do t'i kursenin buxhetit të shtetit jo pak, por 80 milionë dollarë. Dhe si do vinte kjo? Do vinte për shkak të ekonomisë së shkallës, për shkak të zvogëlimit të strukturës dhe ndërkohë paratë mos shkonin për pagat dhe sigurime shoqërore, por paratë të shkonin për atë çfarë i intereson qytetarët për të shkuar investime dhe shërbime. Në vitin 2015 kur filloi reforma e re territoriale në 373 njësitë vendore kanë qenë gjithsej të punësuar 17.000 rreth 18.000 po më pak se 18.000 17.000 të punësuar në administratë. Sot që ne flasim janë të punësuar në administratën lokale janë 41.000 pra 2.5 herë më shumë. Është rritur po themi administrata. Jo vetëm që është nuk është kursyer 80 milionë euro, por u rrit 2.5 herë më shumë administrata dhe për pasojë është rritur dhe paga”.
Sipas Mziut 50% e administratës publike sot është me patronazhistë në shërbim të pushtetit qendror, që nuk kanë as kompjuter, as karrige, as zyrë, por vetëm marrin pagën.
“Nuk jam kundër rritjes së pagës, por absolutisht jam kundër rritjes së administratës, sepse administrata sot e deklaroj me përgjegjësi të plotë se edhe si ish-kryetar bashkie, vetëm në bashkinë ku unë kam qenë ka qenë 3.6 punonjës për 1.000 banorë në bashkinë që unë drejtoja. Sot është tetëfishuar numri i administratës. Flas vetëm për bashkinë e Kamzës, se në rang Shqipërie kemi bashki në të cilat ka patur rritjen më të vogël është dyfishuar dhe kemi bashki që ka shkuar deri në tetëfishimin e administratës. Unë deklaroj me përgjegjësi të plotë që më shumë sesa 50% e administratës publike sot është një administratë patronazhiste në shërbim të pushtetit qendror dhe nuk ka një kompjuter, nuk ka një karrige, nuk kanë një vegël pune, nuk kanë një zyrë, por që kanë një bankomat kur marrin paratë e tyre”, the Mziu.
Deputeti demokrat shtoi se shpenzimet për personelin në bashki janë rritur nga 31.1% e buxhetit në vitin 2015 në 45.7% në vitin 2024, ndërsa investimet kapitale kanë rënë nga 37.5% në 19.5%. Sipas tij, kjo tregon se fondet e bashkive po shkojnë gjithnjë e më shumë për administratën dhe jo për investime e shërbime në interes të qytetarëve.
“Shpenzimet për personelin në vitin 2015 kur kishim 373 njësi vendore ishin 31.1% e buxhetit të tyre shkonin për paga dhe shikime shoqërore. Jo vetëm që nuk u kursye, por në vitin 2024, sepse 2025 nuk e ka nxjerrë akoma qeveria, në vitin 2024 kemi 45.7%. Pra është rritur ndjeshëm. Shpenzimet kapitale kanë qenë kur kishim 373 njësive investimet ishin 37.5%. Sot shpenzimet kapitale janë 19.5% 5% ose 18% më pak ose më saktë e thënë ndryshe vetëm 53%. Jo vetëm që s'ka qenë efiçente por ka shkuar në kah të kundërt. Taksë paguesit shqiptarë nuk ju shkon paraja për investime kapitale dhe shërbime po ju shkon për administratën e cila e cila zë pothuajse gjysmën e buxhetit të bashkive dhe kjo është absolutisht në regres”. (A2 Televizion)