Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv që e përcakton Antifa-n, grupin antifashist të ekstremit të majtë, si një organizatë terroriste.
Vendimi vjen vetëm një javë pasi Trump tha se do ta nënshkruante urdhrin pas vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk.
Shtëpia e Bardhë e cilësoi vrasjen e Kirk një shembull të dhunës politike të krahut të majtë, megjithatë, hetuesit nuk kanë konfirmuar nëse vrasësi i dyshuar i përkiste ndonjë ideologjie të veçantë. Ata vetëm kanë thënë se autori i vrasjes, Tyler Robinson, ishte politikisht i zemëruar dhe nuk ishte dakord me pikëpamjet e Kirk.
Sakaq, urdhri ekzekutiv i firmosur nga Trump udhëzon agjencitë federale “të hetojnë, ndërpresin dhe çmontojnë çdo operacion të paligjshëm” të kryer nga çdo person i përfshirë në lëvizjen Antifa.
Urdhri ekzekutiv i Trump thotë se “Antifa është një ndërmarrje militariste, anarkiste që bën thirrje në mënyrë të qartë për përmbysjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara, autoriteteve të zbatimit të ligjit dhe sistemit tonë ligjor”.
Sipas një raporti të Shërbimit Kërkimor të Kongresit (CRS) të vitit 2020, Antifa nuk është një organizatë politike zyrtare dhe e unifikuar. Ajo është më tepër një lëvizje e gjerë aktiviste që përfshin individë të ndryshëm dhe i mungon një strukturë udhëheqëse e centralizuar.
Njerëzit që identifikohen me Antifa-n ose veprojnë në emër të saj, përgjithësisht ndajnë një sërë besimesh të përbashkëta, zakonisht në kundërshtim me fashizmin dhe autoritarizmin.
“Disa anëtarë janë të gatshëm të kryejnë krime, disa të dhunshme, për të promovuar bindjet e tyre, megjithëse shumë aktivitete të Antifa përfshijnë protesta jo të dhunshme, siç janë varja e posterave, mbajtja e fjalimeve dhe marshimi”, thuhet në raportin e CRS. (A2 Televizion)