
Zjarrvënësi më i madh në historinë e kombit është Edi Rama. Kështu u përgjigj kreu demokrat Sali Berisha gazetarëve pas daljes nga SPAK, kur u pyet se kreu i qeverisë i akuzon për përsëritje të 21 janarit. Sipas kreut të selisë blu, rreth 720 mijë të rinj shqiptarë janë larguar nga vendi dhe mbi 12 miliardë euro janë vjedhur nga investimet publike.
“Zjarrvënësi më i madh i shqiptarëve është Edi Rama, ka plaçkitur mbi 12 miliardë euro nga taksat e shqiptarëve. Ka ndërtuar rrugë 10 herë më shtrenjtë se në Europë. Ka vjedhur pra, 12 miliardë euro investime në 90% të tyre. A ka zjarrvënës më të madh se Edi Rama? Më thoni ju mua, se njeriu që ka katandisur pensionistin shqiptar të flasë me vete, të numërojë kafshatën, të heqë dorë nga receta, të mos marrë ilaçet. Ky është zjarrvënësi numër një i kombit”.
Në këto kushte, thekson Berisha, revolta është misioni i çlirimit të këtij kombi, për të cilën tha se do ta mbështesë deri në fitore.
“Protesta, revolta, është misioni i çlirimit të këtij kombi. Ndaj dhe, ndaj dhe ju lutem, ju lutem, vlerësoni duke bërë krahasimet. A ka mungesë më të madhe legjitimiteti sesa të zhvillosh atë farsë të turpshme elektorale që u zhvillua për mandatin e katërt? Ju lutem, në qoftë se bëni krahasimet do gjeni veten se keni krahasuar të pakrahasueshmet. Ai është Neroni, ai është kryezjarrvënësi, ai është transaksionali, ai është korruptori dhe ai është përgjegjësi bashkë me këta, i kësaj katastrofe. Ndaj dhe Partia Demokratike mbështet me të gjithë forcën këtë revoltë, gjer në fitoren e saj”. (A2 Televizion)