Tre të rinj janë shoqëruar nga policia në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, përpara nisjes së protestës. Kjo u raportua për A2 Sot nga gazetarja e A2 CNN Fjorela Beleshi, ndërsa operatori Henri Simota sjell pamjet nga momenti i shoqërimit të tyre.
Gazetarja raportoi se të rinjtë po qëndronin në shesh në pritje të grumbullimit të protestuesve të tjerë, kur efektivët ndërhynë dhe i futën në furgonin e policisë.
Kjo ka shkaktuar reagimin e disa qytetarëve të pranishëm, të cilët u kanë kërkuar efektivëve të mos shoqërojnë të rinjtë. Mes tyre, një qytetare shprehu në A2 CNN shqetësimin për sigurinë e fëmijëve dhe mënyrën e ndërhyrjes së policisë.
Gazetarja e A2 CNN Fkorela Beleshi raportoi se policia po ndërhyn në zona të ndryshme të Tiranës për të shoqëruar të rinjtë përpara se të grumbullohen dhe të marshojnë drejt rrugës së Durrësit.
Ndërkohë, situata e protestave ka ndikuar edhe në aktivitetin parlamentar. Sipas raportimit, mbledhjet e komisioneve nuk po zhvillohen dhe seanca e fundit plenare është anuluar, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk janë prononcuar publikisht për zhvillimet e fundit. (A2 Televizion)