Trump fiton mbi 1 miliard dollarë nga kriptovalutat për vitin 2025

Nga A2 CNN
1 Korrik 2026, 16:19 | Bota

Trump fiton mbi 1 miliard dollarë nga kriptovalutat për vitin 2025

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka përfituar më shumë se 1 miliard dollarë nga investimet dhe bizneset e lidhura me kriptovalutat, sipas raportit të tij të detyrueshëm financiar për vitin 2025.

Dokumenti prej 927 faqesh tregon se Trump ka raportuar 635 milionë dollarë të ardhura nga të drejtat autoriale përmes një entiteti të quajtur Celebration Coins, që besohet të jetë i lidhur me meme-monedhën $TRUMP, e lançuar pak ditë para rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.

Po ashtu, ai ka deklaruar mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani e kriptovalutave e themeluar nga djemtë e tij dhe familjarë të të dërguarit të posaçëm, Steve Witkoff.

Sipas raportit, të ardhurat totale të Trump arrijnë të paktën në 2.2 miliardë dollarë, shumë dukshëm më e lartë krahasuar me deklarimin e vitit 2024, kur ai raportoi mbi 600 milionë dollarë.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar çdo konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit administrohen nga një fond i drejtuar nga djemtë e tij. Zëvendëssekretarja e shtypit, Anna Kelly, deklaroi se administrata Trump ka punuar për ta bërë SHBA-në "kryeqytetin botëror të kriptovalutave" dhe se presidenti nuk është i përfshirë në menaxhimin e financave të tij personale.

Edhe vetë Trump reagoi ndaj kritikave, duke u shprehur se fitimet e tij lidhen me rritjen e tregjeve financiare.

"E dini pse po përfitoj? Sepse tregu i aksioneve po rritet. Të gjithë po përfitojnë. Unë nuk merrem me financat e mia personale; ato menaxhohen nga fondet që administrojnë pasurinë time," deklaroi ai.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos