Synimet e prsidentit amerikan Donald Trump për të marrë kontrollin e territorit gjysmë autonom të Groenlandës në Danimarkë, kanë frikësuar këtë të fundit, e cila po mendon të fuqizojë mbrojtjen ne Arktik.
Autoritetit në Kopenhagen njoftuan se do të shpenzonin rreth 2 miliardë dollarë për të fuqizuar praninë ushtarake në Arktik. Pas më shumë se një dekade me shkurtime drastike në shpenzimet ushtarake, vitin e kaluar Danimarka njoftoi një buxhet prej 26 miliardë dollarë për ushtrinë e vet përgjatë një periudhe 10 vjeçare, pjesë të së cilave do të akordoheshin për Arktikun.
Edhe pse përgjegjëse për sigurinë dhe mbrojtjen e Groenlandës, Danimarka ka limituar kapacitetet në ishull, në atë që është konsideruar si vrimë e zezë e sigurisë. Aktualisht kapacitetet daneze për monitorimin e një zone 4 herë më të madhe se Franca, përfshijnë vetëm 4 anije të vjetëruara inspektimi, një avion survejimi Challenger dhe 12 qen patrullues, shkruan A2 CNN.
Sipas planit të ri, kapaciteteve do tu shtohen 3 mjete te reja lundruese në Arktik, 4 dronët survejues me rreze të gjatë e po ashtu satelitë survejimi. Lëvizja pason deklaratat e Donald Trump se Groenlanda është jetësore për sigurinë e SHBA dhe se Danimarka duhet të heqë dorë nga kontrolli i ishullit me rëndësi strategjike.
SHBA ka një prani të përherëshme në bazën hapsinore të Pituffik në Groenlandën veriperëndimore, një lokacion strategjik për sistemet paralajmëruse të raketave balistike, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)