Bastet online në informalitet, shteti humbet para dhe lojtarët mbeten të pambrojtur

Nga Marjo Brakaj
8 Nëntor 2026, 10:31 | Ekonomi

Informalitet, mungesë të ardhurash e kontrolli dhe më shumë kriminalitet... Me policinë që nga njëra anë thuajse çdo ditë njofton për arrestime të atyre që provojnë fatin dhe aktivitetin që vijon në paligjshmëri... të gjithë po humbin. Shteti nuk po arkëton atë që i takon ndërsa ata që luajnë janë tërësisht të pambrojtur.

“Mendoj se të gjitha palët janë të humbura në këtë situatë. Bizneset që kanë shprehur interes për të hyrë në tregun e licencuar të basteve kanë mbetur pezull, pa një afat të qartë dhe pa mundësi planifikimi. Nga ana tjetër, qytetarët që luajnë po e bëjnë këtë në mënyrë tërësisht informale, pa asnjë mekanizëm mbrojtës, duke rritur rrezikun për abuzime, humbje të mëdha dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme. Ndërkohë, edhe shteti është humbësi i tretë, sepse nuk po arrin të grumbullojë taksat dhe të ardhurat që do të vinin nga një treg i rregulluar dhe i monitoruar”, shprehet Artur Ribaj, pedagog, ekspert ekonomie.

Këto fenomene negative që shtrihen sa në drejtim të arkës së shtetit aq edhe te ata që luajnë në paligjshmëri baste sportive online pritet të theksohen edhe më tepër pas vendimit të qeverisë për të rishikuar ligjin që u miratua, por nuk u zbatua kurrë.

“Derisa të plotësohen kriteret e licencimit; derisa të licencohen kompanitë që do të ushtrojnë veprimtarinë e lojërave të fatit... nuk mund të themi se bastet sportive aktualisht janë të ligjshme”, thekson Ribaj.

Me ndryshimet e miratuara ligjore 2 vite e gjysmë më parë, për të luajtur baste sportive “online”, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të idenitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie.

“Situata u bë më e keqe se para se bastet sportive ishin fizike dhe lojtarët duhet të shkonin fizikisht. Në këtë 5-vjeçar teksa pikat e basteve fizike ishin të mbyllura, u shtuan baste online. Nëse më parë ne kishim 5 mijë pika bastesh, gjatë këtyre 5 viteve, numri u barazua me popullsinë. Dikush që kishte varësi e thelloi atë dhe të tjerë të varur u shtuan”, vijon ai.

Gjithashtu do të krijohet një regjistër elektronik që do të ndalojë të luajnë ata që kanë varësi apo probleme të tjera me lojërat e fatit. E në një kohë që bastet sportive, tashmë vetëm “online” pritet të bëhen të ligjshme, numri i lojtarëve të varur nga lojërat e fatit po zgjerohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos