Presidenti Donald Trump zhyti në përçarje samitin e liderëve të NATO-s të mërkurën, pasi kërkoi që Shtetet e Bashkuara të ndërprisnin marrëdhëniet tregtare me Spanjën dhe përsëriti pretendimet e tij për Groenlandën.
Duke folur në Samitin e Ankarasë, Trump e quajti Madridin një partner të tmerrshëm në NATO, ndërsa kritikoi aleatët për mungesën e mbështetjes ndaj luftës kundër Iranit, shkruan A2.
Ai gjithashtu urdhëroi Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent, të pezullojë të gjitha marrëdhëniet tregtare me Spanjën: “Fola me Italinë, nuk fola me Spanjën. Spanja është një rast i humbur. Nga tani e tutje, nuk duam të bëjmë më asnjë lloj biznesi me Spanjën. Spanja është një partnere e tmerrshme në NATO. Nuk kontribuon, nuk paguan. Nuk dua të kemi më asnjë lidhje me Spanjën. Ju lutem, ndërpriteni të gjithë tregtinë me Spanjën, madje edhe vizitat, në rregull?”.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, reagoi se po i trajtonte deklaratat e Trumpit si diçka të zakonshme, duke shtuar se marrëdhëniet dypalëshe vazhdojnë të jenë në dobi të të dyja vendeve.
Trump ka qenë gjithmonë e më kritik ndaj Spanjës, për shpenzimet në mbrojtje dhe gjithashtu kritikat e Sanchez për luftën në Iran. Trump pati fjalë të ashpra edhe për shtetet e tjera europiane që siç tha nuk e lejuan të përdorin bazat ajrore gjatë luftës dhe ripërsëriti qëndrimin që shteti i tij të kontrollojë Groenlandën.
“Groenlanda është një problem i madh për ne. Dhe problemi tjetër i madh është se, kur ne i donim ata, të gjithë thanë jo. Kur patën mundësinë, ata nuk ishin pranë nesh. Ndërsa ne kemi qenë pranë tyre. Ne kemi shpenzuar mbi 1 trilion dollarë gjatë periudhës së fundit për t’i mbrojtur këto vende nga Rusia”, tha Trump.
Më herët, Presidenti amerikan kërcënoi të largojë të gjithë trupat amerikane nga Europa. Komentet eklipsuan samitin me të cilin liderët europianë kishin shpresuar të projektonin unitetin dhe mbështje për Ukrainën, dhe do t’i jepinin fund mosmarrëveshjeve disamujore që kanë kërcënuan të shpërbëjnë aleancën.
Ato lane gjithashtu në hije mesazhin në prag të samitit se shtetet europiane të NATO-s, do të rrisnin ndjeshëm shpenzimet në mbrojtje dhe do të investonin të paktën 50 miliardë dollarë në marrëveshje armësh. (A2 Televizion)