Të ndarë në Strasburg. PS: Do mbyllim kapitujt; PD: Mazhoranca po bën regres

Nga Anesti Barjamemaj
8 Korrik 2026, 18:29 | Politikë

Pas sherreve në seancat plenare, deputetët socialistë dhe ata demokratë u shfaqën së bashku në Strasburg, në mbledhjen e radhës së Komitetit të Stabilizim Asocimit.  

Para eurodeputetëve, krerët e grupeve parlamentare Taulant Balla dhe Gazment Bardhi kishin qasje të ndryshme për atë që po ndodh në Shqipëri, shkruan A2.

Sipas Ballës, Shqipëria ka kryer reforma të rëndësishme dhe pret nga Bashkimi Evropian mbylljen e tre kapitujve.

Taulant Balla u shpreh: “Sot ndihet ndryshe. Kjo mbetet një ditë e veçantë, sepse kjo mbledhje zhvillohet në një moment vendimtar të procesit të integrimit evropian të Shqipërisë. Këtë javë presim dritën jeshile për mbylljen e tre kapitujve të tjerë të negociatave dhe javën e ardhshme po përgatitemi për Konferencën e radhës Ndërqeveritare”.

Por, Bardhi tregoi një tjetër panoramë për Shqipërinë: “Nëse pengon punën e SPAK përmes mosheqjes së imunitetit të zyratëve të lartë, e pengon apo e përshpejton procesin e integrimit. Ky përben progres të Shqipërisë në luftën nda korrupsionit apo është një regres në këtë luftë”.

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder, përgëzoi Shqipërinë për progresin por theksoi se reformat duhet të vijojnë.

Andreas Schieder, raportuesi për Shqipërinë në PE, theksoi: “Siç themi gjithmonë, hapja e kapitujve është e rëndësishme, por mbyllja e tyre është edhe më e rëndësishme. Megjithatë, edhe pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, puna nuk përfundon. Reformat e dakordësuara duhet të zbatohen plotësisht dhe rezultatet e tyre duhet të ndihen në jetën e qytetarëve. Ajo që ne e quajmë ideja evropiane duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë së shoqërisë”.

Në këtë takim u prek edhe çështja e Zvërnecit, ku eurodeputetët që zhvilluan vizitën në zonën e mbrojtur kërkuan që qeveria Shqiptare të ofrojë garanci për mbrojtjen e biodiversitetit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos