Trump i zemëruar me Starmer: Jam i zhgënjyer, marrëdhënia nuk është më si më parë

Nga Rosalba Bejdo
3 Mars 2026, 14:33 | Bota

Lufta e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në Iran duket se po teston më shumë se kurrë më parë raportet e presidentit amerikan me aleatin kyç, kryeministrin britanik. Donald Trump kritikoi sërish liderin britanik Keir Starmer për faktin se kishte refuzuar të ndihmonte në ofensivën kundër Iranit, duke thënë se marrëdhënia mes tyre nuk ishte më ajo e para.

Starmer bëri një prej deklaratave më të forta në lidhje me aksionin ushtarak të Trump në Iran, duke theksuar se Britania e Madhe nuk beson në ndryshim regjimi “nga qielli” dhe mbrojti vendimin për të mos lejuar përdorimin e bazave britanike për të ndërmarrë sulme. Megjithatë, kryeministri theksoi se vendi i tij do të lejojë përdorimin e bazave për aksione mbrojtëse për forcat aleate dhe shtetet e Gjirit dhe Lindjes së Mesme që janë goditur nga një valë sulmesh hakmarrëse të Iranit.

Duke folur për The Sun, Trump tha se ishte i zhgënjyer me sjelljen e Britanisë. “Ai nuk ka qenë ndihmues. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë. Nuk e kisha menduar kurrë se do ta shihja këtë nga Mbretëria e Bashkuar. Ne e duam Mbretërinë e Bashkuar. Është një botë tjetër, në fakt. Është një lloj marrëdhënieje shumë ndryshe nga ajo që kemi pasur më parë me vendin tuaj. Është shumë e trishtueshme të shohësh që marrëdhënia, qartazi, nuk është më ajo që ishte”, tha Trump.

Starmer ishte vlerësuar më herët për aftësinë e tij për të ruajtur marrëdhënien me presidentin e paparashikueshëm të SHBA-së, por të hënën, në Dhomën e Komunëve, kryeministri shprehu dyshime mbi veprimet amerikane në Teheran dhe ligjshmërinë e tyre.

“Britania e Madhe nuk u përfshi në sulmet fillestare ndaj Iranit nga SHBA dhe Izraeli. Ne besojmë se mënyra më e mirë përpara për rajonin dhe botën është një zgjidhje e negociuar. Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij me vendimin tonë për të mos u angazhuar në sulme, por është detyra ime të gjykoj se cilat janë interesat tona kombëtare”, tha ai.

Starmer theksoi më tej se bazat britanike në Qipro nuk po përdoreshin nga bombarduesit amerikanë dhe se sulmi ndaj bazës së Akrotirit nuk ishte në kundërpërgjigje të ndonjë vendimi të marrë prej tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos