Ish-inspektori i Kombeve të Bashkuara dhe fizikan bërthamor, David Albright, ka deklaruar se objekti bërthamor nëntokësor i Iranit, Fordo, ndodhet 80 metra nën tokë dhe është "shumë i vështirë për t’u shkatërruar".
Duke folur për BBC Radio 5 Live, Albright tha se përvoja nga inspektimet në Irak ndihmoi Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të zhvillojë "metoda jashtëzakonisht të avancuara për hetimin e programeve sekrete", shkruan A2 CNN.
Ai shtoi: “Tani që Izraeli ka nisur goditjet, besoj se Izraeli mund ta nxjerrë atë objekt jashtë funksioni për një kohë të gjatë. Shtetet e Bashkuara mund ta shkatërrojnë plotësisht.”
Albright, themelues i Institutit për Shkencë dhe Siguri Ndërkombëtare në Uashington, theksoi se Fordo është vetëm “një nga objektet më të fortifikuara” të programit bërthamor iranian, por jo i vetmi. (A2 Televizion)