Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me sulme të tjera ndaj ishullit strategjik të eksportit të naftës në Iran, Kharg, dhe tha se nuk ishte gati për një marrëveshje me Teheranin për t’i dhënë fund luftës.
Me luftën në Iran që ka hyrë në javën e saj të tretë, kreu i Shtëpisë së Bardhë deklaroi se sulmet kanë shkatërruar totalisht shumicën e ishullit.
“Mund ta godasim edhe disa herë të tjerë, thjesht për qejf”, ishin fjalët e Presidentit amerikan, shkruan A2.
Komentet përbëjnë një përshkallëzim të ndjeshëm nga ana e Trump, i cili më herët kishte thënë se SHBA po shënjestronte vetëm objektivë ushtarake në Kharg dhe minojnë përpjekjet diplomatike për të ndalur një luftë që është përhapur përreth Lindjes së Mesme, duke u marrë jetën më shumë se 2 mijë njerëzve.
Uashingtoni ka refuzuar përpjekjet e aleatëve në Lindjen e Mesme, për të nisur bisdimet sipas tre burimeve me dijeni mbi çështjen, ndërsa Garda Revolucionare tha të dielën se kishte lëshuar më shumë raketa ndaj Izraelit dhe 3 bazave amerikane në rajon. Trump tha për televizionin NBC se Teherani dukej i gatshëm të bënte një ujdi për t’i dhënë fund luftimeve, por se kushtet nuk janë pjekur ende.
Në këtë intervistë, Presidenti amerikan ngriti mundësinë që Ajatollahu Mojtaba Khameni të ishte vrarë, por ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi pohoi se udhëheqësi gëzonte shëndet të plotë dhe po menaxhonte situatën.
Teksa fundi i luftës nuk duket askund në horizont, aftësia e Iranit për të bllokuar kalimin e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit po bëhet një kërcënim gjithmonë e më i madh ndaj ekonomisë globale. Teksa çmimi i naftës i kaloi 100 dollarë për fuçi, Trump u përpoq të minimizonte shqetësimet lidhur me konsumatorët amerikanë, duke thënë se do uleshin shpejt.
Por, më pas i kërkoi Kinës, Francës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Britanisë të dërgojnë luftëanije në Hormuz për të siguruar kalimin e anijeve.
“Vendet që marrin naftën përmes Ngushticës së Hormuzit duhet të kujdesen për atë kalim dhe ne do të ndihmojmë”, ishin fjalët e tij. Por, asnjë prej këtyre vendeve nuk ka konfirmuar se do të çojë anije atje, për sa kohë luftimet vijojnë. (A2 Televizion)