
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Bejrut ka publikuar në rrjetet sociale imazhe të presidentit Donald Trump gjatë një takimi me ambasadorin amerikan në Liban, Michel Issa, si dhe me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Në një postim në platformën X, ambasada bëri të ditur se takimi është zhvilluar të mërkurën dhe se palët “konfirmuan angazhimin për bisedimet në vazhdim dhe përpjekjet e ambasadës në Bejrut për të mbështetur rikthimin e monopolit të forcës dhe sovranitetit të Libanit”.
Sipas këtij mesazhi, diskutimet janë fokusuar në stabilitetin e Libanit, forcimin e institucioneve shtetërore dhe përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet në vend, në një kohë kur rajoni po përballet me pasiguri të shtuar.
Termi “monopol i forcës” i referohet aftësisë së shtetit libanez për të kontrolluar plotësisht përdorimin e armëve dhe forcës brenda territorit të tij, pa praninë e aktorëve të armatosur jashtë institucioneve shtetërore.
Takimi vjen në një moment kur SHBA-ja po intensifikon angazhimin diplomatik në rajon, me synimin për të mbështetur stabilitetin në Liban dhe për të nxitur dialogun politik mes palëve të ndryshme në vend. (A2 Televizion)