Reshjet e shiut në Shkodër, rrëshqitje dherash dhe rënie gurësh në akset malore

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2026, 09:15 | Aktualitet

Reshjet e shiut në Shkodër, rrëshqitje dherash dhe rënie

Reshjet e shiut në qarkun e Shkodrës kanë sjellë probleme në disa zona. Sipas të dhënave nga Prefektuar mësohet se problematika raportohen në Pukë dhe Fushë-Arrëz, ku ka pasur rrëshqitje të skarpatave dhe rënie gurësh në rrugët rurale. Në disa zona janë shënuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Gjatë 24 orëve janë regjistruar rreth 48 mm reshje, ndërsa nivelet e Drinit, Liqenit të Shkodrës dhe digës së Shtodrit mbeten nën kuotat e rrezikut. Hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë lëvizjes në akset rrugore malore.

Informacion mbi situatën hidrometeorologjike në Qarkun Shkodër

Në vijim të monitorimit të vazhdueshëm të situatës hidrometeorologjike, Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, në bashkëpunim dhe bashkërendim me bashkitë dhe strukturat përgjegjëse të Mbrojtjes Civile, informon se situata në territorin e qarkut paraqitet përgjithësisht e qëndrueshme, pavarësisht reshjeve të vazhdueshme të shiut.

Bashkia Shkodër

Gjatë natës janë regjistruar reshje të vazhdueshme shiu. Nga komunikimi me të gjitha njësitë administrative, deri në këto momente nuk raportohen problematika serioze, me përjashtim të ndërprerjeve të energjisë elektrike në disa zona. Strukturat bashkiake vijojnë monitorimin e situatës në terren.

Bashkia Malësi e Madhe

Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Deri në këto momente nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.

Bashkia Vau i Dejës

Vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar deri të lartë. Aktualisht nuk raportohen problematika nga strukturat e Mbrojtjes Civile.

Bashkia Pukë

Vijojnë reshjet intensive të shiut, të shoqëruara me erëra të forta. Në rrugët rurale të Njësisë Administrative Qelëz janë konstatuar rrëshqitje të skarpatave dhe rënie gurësh, të cilat kërkojnë vëmendje të shtuar për sigurinë e qarkullimit.

Bashkia Fushë-Arrëz

Gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar. Raportohen rënie gurësh në segmente rrugore, si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në Njësinë Administrative Blerim.

Situata e veprave ujore dhe niveleve hidrometrike

Sipas informacionit të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 48 mm reshje shiu, pa shkaktuar problematika në funksionimin e veprave kulluese dhe mbrojtëse nga uji.

Nivelet e ujit në lumin Drin, Liqenin e Shkodrës dhe digën e Shtodrit mbeten nën kuotat e rrezikut. Hidrovorët janë funksionalë dhe në gatishmëri për të operuar me kapacitet të plotë.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër vijon monitorimin dhe koordinimin e vazhdueshëm me të gjitha strukturat përgjegjëse, me vëmendje të veçantë ndaj zonave malore, sigurisë së akseve rrugore, furnizimit me energji elektrike dhe niveleve të ujërave.

U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në akset rrugore malore ku janë evidentuar rënie gurësh dhe rrëshqitje të skarpatave.

Çdo zhvillim i situatës do të komunikohet në kohë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos